Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot në Gjirokastër Muzeun Etnografik dhe Shtëpinë Muze të Ismail Kadaresë.
“Dy hapësira të rilindura të trashëgimisë sonë historike dhe kulturore, që i shtohen ofertës turistike të Gjirokastrës, falë arkitektit të famshëm Jesus Hernandez, Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Ministrisë së Kulturës e Bashkisë së Gjirokastrës”, shkruan Rama.
Një prej galerive në muze ishte e dedikuar për periudhën komuniste, konkretisht me foto nga periudha e luftës së komunizmit ndaj fesë.
Një tjetër zonë e dedikuar ishte për ish-diktatorin Enver Hoxha, ku shfaqej dhe një dokumentar kushtuar vizitës së tij në muzeun etnografik të Gjirokastrës.
Ministrja Kumbaro sqaron se është zgjedhur kjo pjesë e shtëpisë për të vendosur dhe dokumentarin që siç thotë ajo është pjesë e historisë së Shqipërisë së komunizmit.
“Enveri në burg domethënë”, pyet Rama.
“Në burgun e shtëpisë së tij”, i përgjigjet ministrja.