EKSKLUZIVE/ I ka ndëshkuar dy herë rumunët, Enriko Papa: Vllazni, ja si fitohet në Kraiovë

Enriko Papa është shqiptari që e di më mirë se kushdo si fitohet në stadiumin e Universitatea Kraiovës. Në vitin e kaluar, si kapiten i Botoshanit, mesfushori i dha dy fitore ekipit rumun kundër rivalit të sotëm të Vllaznisë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 29- vjeçari që së fundmi është transferuar te Rizespori në Turqi, tregoi “recetën” si shkodranët mund t’ia dalin sot në Kraiovë.

ENRIKO PAPA

Pas 4 sezoneve me Botoshanin, zgjodhët të vijoit karrierën te Rizespori. Ishin financat apo diçka tjetër që ju bindi për të shkuar nga elita e futbollit rumun në nivelin e dytë të futbollit turk?

Kam pasur shumë oferta nga klubet më të mëdha në Rumani, ashtu edhe nga disa ekipe të Superligës turke. Në fund u binda për Rizesporin, sepse ishte një projekt që më shkonte më shumë për shtat. Nëse flasim për financat, kam pasur mundësi më të mira në Dubai apo Arabi. Megjithatë, më pëlqeu kontrata që më ofroi Rizespori. Klub ka ambicie për t’u ngjitur në Superligë dhe ajo që dua unë është vazhdimësia.

Me Rizesporin besoni se mund të kapni elitën në Turqi?

Po, sigurisht që mund të kapë elitën dhe gjithashtu të bëhem një lojtar i rëndësishëm i kampionatit siç më ndodhi në Rumani. Këtu në Turqi luhet një stil loje që më përshtatet shumë mirë, qoftë nga ana fizike ashtu edhe nga ana taktike, prandaj dhe erdha këtu.

E keni peng faktin që në këto katër vite të mira në Rumani nuk ju dha asnjëherë mundësia të provoheshit në Kombëtare?

Nuk është e lehtë të jesh në Rumani dhe të sfidosh klube me buxhete të mëdha, por te Botoshani bënim një futboll ofensiv dhe të bukur. Normalisht në gjithë këto vite e kam pritur një ftesë, por që nuk erdhi asnjëherë. Nuk e di arsyen, por besoj se e meritoja, pasi kam qenë kapiten ekipi dhe kam luajtur rregullisht në një kampionat me klube të mëdha si Steaua, që ka fituar edhe Champions-in. Gjithsesi, nuk vendos unë, por trajneri i Kombëtares dhe njerëz të tjerë.

Sot Vllaznia luan me Universitatea Kraiovën, një skuadër që e keni mundur me Botoshanin dy herë dhe si për koincidencë ju keni shënuar golat e fitores. Si është të shënosh në stadiumin e Kraiovës?

Kraiova është një klub i madh në Rumani, pavarësisht se me shqiptarët nuk i ka ecur (i referohet Laçit). Shpresoj që të ndodhë kështu edhe me Vllazninë. Kur luaja te Botoshani, nuk kishim fituar në transfertë me Universitatea Kraiovën, por në vitin e kaluar e bëmë dy herë në fushën e tyre. Në ndeshjen e parë që dolëm 2-3 në maj të vitit 2021, unë shënova golin e fitores në minutën e 87- të. Ndërsa në ndeshjen e dytë, më 1 gusht 2021, ku dolëm 1-2, sërish golin e fitores e shënova unë, këtë herë me roveshatë në fillimin e pjesës së dytë. Për mua stadiumi i Kraiovës është fantastik, më i miri në Rumani. Është shumë i bukur dhe lojtarët e Vllaznisë do ta shijojnë. Shpresoj që Ardit Hoxhaj të shënojë sërish, pasi e kam edhe shok (qesh).

Ndeshja e parë ka dalë 1-1. Sa shanse ka Vllaznia për t’u kualifikuar?

Nuk e shikoj të pamundur që Vllaznia të fitojë sot. Duke ditur se si luan Kraiova, unë shpresoj që Vllaznia t’i kapë në kundërsulm dhe t’i godasë. Ata janë një ekip shumë ofensiv dhe nëse shkodranët kanë kujdesin maksimal në mbrojtje, kanë për t’i kapur kollaj me kundërsulme. Tifozët do ta shtyjnë ekipin rumun të luajë gjithë kohës në sulm dhe duke qenë se u duhet fitorja, do të dalin nga detyrat dhe do të lënë hapësira për Vllazninë. E shikoj kundërsulmin si pikën më të fortë për shkodranët në këtë takim. Vetëm kështu kanë shanse të fitojnë ndaj Universitateas, sepse po u hapën, do të kenë probleme. Duhet të tregohen të zgjuar, pasi e kanë kualitetin për t’i goditur rumunët. Nëse mbyllin hapësirat, i kanë shanset për fitore. Sikur edhe me një aksion, në një ndeshje të tillë, Vllaznia mund të fitojë.

Çfarë duhet të ketë më shumë kujdes skuadra shkodrane dhe çfarë do t’i këshillonit Josës nëse do t’ju pyeste?

Kraiovës i pëlqen të luajë me topin dhe të mbajë kontrollin e ndeshjes, por Josa e di shumë mirë që pika e tyre më e rëndësishme është sulmuesi Andrei Ivan. Pastaj kanë edhe dy sulmues të tjerë, si Koljiç dhe Markoviç. Nuk duhet t’i lënë këta lojtarë në markimin një kundër një, pasi janë të shpejtë dhe mund ta pësosh kollaj. Edhe në goditjet standarde janë të rrezikshëm, pasi kanë lojtarë shtatlartë.

JORGIS MEMO – Arena e Lajmit


EKSKLUZIVE/ I ka ndëshkuar dy herë rumunët, Enriko Papa: Vllazni, ja si fitohet në Kraiovë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook