Matajs de Ligt tani është pjesë e së shkuarës së Juventusit.
Por edhe pak ditë pas transferimit të tij te Bajerni i Mynihut, mbrojtësi holandez nuk i ka kursyer mesazhet në drejtim të ishskuadrës së tij, ndërsa këtë herë në shënjestër të 22-vjeçarit ka përfunduar trajneri Masimiliano Alegri.
DE LIGT – Pas fjalëve në konferencën e prezantimit me Bajernin në lidhje me mundësinë e shënimit të më shumë golave në Bundesligë dhe fjalëve të trajnerit Nagelsman se mbrojtësit i janë dukur stërvitjet në Mynih më të rëndat që ka bërë këto katër vitet e fundit, ish-kapiteni i Ajaksit, i intervistuar për mikrofonat e “ESPN”, zbuloi motivet që e shtynë tri vite më parë të pranonte ofertën e Juventusit.
“Në vitin 2019 zgjodha që të transferohesha te Juventusi sepse doja të luaja një futboll më ofensiv. Në atë kohë trajner ishte Mauricio Sarri.
Mendoja se me të, për atë që kishte treguar te Napoli dhe Çelsi, do të kishim pasur një stil loje shumë të ngjashëm me atë të Ajaksit.
Por, për fat të keq, Sarri u largua pas vetëm një viti”, tha qendërmbrojtësi i Holandës. Janë fjalë që tingëllojnë si shigjeta ndaj trajnerit aktual Alegri dhe vizionit të tij për lojën.
Ndërsa ai u ekspozua edhe në sezonin me Andrea Pirlon në stol.
RITMI I NGADALTË – De Ligt u ndal më pas të analizonte edhe vështirësitë e tjera që hasi në Serinë A, në planin taktik. “Te Juventusi në fillim nisa të luaja në krah të majtë dhe ishte e vështirë.
Në të djathtë ndihem më mirë. Në fakt, në mes të sezonit u këmbyem me Bonuçin: ishim një dyshe e mirë dhe fituam titullin. Në dy sezonet e tjera luajta shpesh në të majtë. Nuk është se nuk doja të luaja në atë rol, por në të djathtë ndihesha më i sigurt.
Ndryshimet mes Ajaksit dhe Juves? Tek Ajaksi kishte një mentalitet të fortë dhe merrnim edhe rreziqe.
Te Juvja qëndrohej më në thellësi. Në përgjithësi, futbolli italian ka një ritëm më të ngadaltë”.
De Ligt zgjodhi të transferohej te Bajerni sepse stoli i kampionëve të Gjermanisë i përshtatet shumë atij që preferon ai dhe aplikon edhe kombëtarja e Holandës.
Prandaj ai refuzoi edhe Çelsin që u fut seriozisht në garë për transferimin e tij. De Ligt i kërkoi Juves që të negociohej vetëm me rekordmenët e Gjermanisë dhe asnjë klub tjetër.
Arena e Lajmit