Agjentët e Policisë Kombëtare në Spanjë kanë arrestuar një burrë me kombësi shqiptare në zonën e Cuencas si autor të dyshuar për kultivim të mbi 600 bimëve kanabisi brenda një banese në qytet.
Nga hetimet e mëtejshme dyshohet se i arrestuari është një anëtar i një organizate kriminale ndërkombëtare që eksportonte drogën drejt vendeve evropiane, thuhet në njoftimin e autoriteteve.
Pas disa javësh punë të përbashkët, oficerët e Policisë Kombëtare nga komisariatet e Cuencas dhe Toledos gjetën banesën që organizata përdorte për kultivimin e paligjshëm të bimëve narkotike.
Infrastruktura që organizata kishte përgatitur brenda shtëpisë për të krijuar kushte optimale për zhvillimin e bimëve, kishte një sistem kompleks vaditjeje duke përdorur solucione ujore të përgatitura në mënyrë perfekte, një sistem ndriçimi, ngrohje dhe ajrimi shumë të zhvilluar, me të cilin arrinin të shkurtonin ciklet e zhvillimit të bimëve për të gjeneruar deri në katër prodhime të cilësisë së lartë në vit.
Krahas akuzës së trafikut të lëndëve narkotike, ai është akuzuar edhe për krimin e anëtarësimit në organizatë kriminale dhe vjedhjes së energjisë elektrike, pasi për të nisur këtë infrastrukturë komplekse kërkohet një konsum i tepruar i energjisë elektrike, që zakonisht kalon 20 mijë euro në muaj, furnizim i ardhur përmes lidhjeve të paligjshme.