Dinamo “godet” në merkato, merr Ersil Ymerin dhe Ilir Allmuçën.
Edhe pse në heshtje të plotë dhe pa shumë zhurmë, drejtuesit vazhdojnë me përforcimet. Të dy lojtarët kanë zbarkuar tashmë në Pogradec, duke u vënë zyrtarisht në urdhrat e Nevil Dedes.
Me këto dy afrime, shtohet ndjeshëm cilësia në organikë dhe më konkretisht në qendër të mesfushës dhe krahun e majtë të mbrojtjes.
Për momentin nuk ka detaje për marrëveshjet e arritura me secilin, pasi klubi nuk ka bërë asnjë zyrtarizim as në këtë rast.
Të njëjtën procedurë kanë zgjedhur të bëjnë edhe me afrimet e Asion Dajës, Taulant Markut, Dikson Eçe Idakvos, Patrik Fetajt apo të rinjve Aurel Marku e Sinan Dani.
E megjithatë, misioni nuk ndryshon. Ngjitja në elitë është objektiv i panegociueshëm i dinamovitëve.
YMERI
Ersil Ymeri vjen pas eksperiencës me Erzenin. Mesfushori kontribuoi në rikthimin në elitë të shijakasve pas 19 vitesh mungesë. 28-vjeçari ndërron ekip, por jo trajner.
Ai ka punuar me Nevil Deden, i cili ia njeh mirë vlerat dhe, me sa duket, e ka dashur në skuadër, ashtu si dhe mbrojtësin Dikson. Edhe pse luan në mesfushë, do t’i bëjë punë edhe në sulm. Ymeri shënoi 12 gola kampionatin e fundit.
Është një prodhim i shkollës së Vllaznisë dhe ka luajtur më parë edhe në Superiore me Kamzën, Kastriotin, Laçin dhe Kukësin, ndërkohë që ka pasur një përvojë të shkurtër te Llapi në Kosovë.
Koplikasi gjen në qendër të mesfushë blu edhe dy lojtarë të tjerë më shumë përvojë, Sabien Lilajn dhe Asion Dajën.
Alternativa të tjera për këtë sektor janë edhe të rinjtë Alisio Përloshi, Redon Laho dhe Devid Fejzulla.
Në Kategorinë e Parë ka rol shumë të rëndësishëm eksperienca dhe trajneri kërkon që t’i ketë me shumica të tillë lojtarë në organikë.
FATJON RUPI – Arena e Lajmit