Interi do të përballet sot në orën 20:30 me Lionin në miqësoren e parafundit të fazës së tij përgatitore. Skuadra e Inzagit do të presë në stadiumin “Manuci” të Çezenës francezët, për të matur edhe një herë tjetër forcat me një skuadër transalpine.
Pasi fituan ndaj zviceranëve të Luganos me rezultatin 4-1, zikaltrit u përballën me Monakon e Lensin, duke barazuar 2-2 me klubin e principatës dhe duke u mposhtur 0-1 nga Lensi. Pas stërvitjes së fundit të ditës së djeshme, zikaltrit do të udhëtojnë sot drejt Çezenës, ku pjesë e skuadrës nuk do të jetë Aleksis Sançez i cili po përpiqet të zgjidhë të ardhmen e tij, ndërkohë që lajmi i mirë për trajnerin vjen nga Gosens që i është bashkuar grupit pas shqetësimeve të miqësores së fundit.
Pas Lionit kundërshtari i radhës i zikaltërve do të jetë Vijarreali të shtunën e ardhshme, që do të përmbyllë fazën përgatitore, për t’ia lënë radhën javës së përgatitjeve për ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Leçes.
Arena e Lajmit