“E treta, e vërteta”, Oshafi kërkon shpërthimin te Teuta pas dy viteve në “udhëtim”

Aldrit Oshafi erdhi në verën e vitit 2020 te Teuta pas dy sezoneve në Superiore me fanellën e Luftëtarit. Ai firmosi një kontratë 3-vjeçare me klubin durrsak, por pa arritur të debutojë me “djemtë e detit” në kampionat, pasi për dy sezonet e fundit ka qenë i huazuar te Tomori në Kategorinë e Parë. Tashmë sulmuesi 22-vjeçar nga Berati është kthyer te Teuta dhe pret që këtë herë të jetë sezoni i tij me fanellën blu, duke lënë pas huazimet.

oshafi

Në një intervistë për “Panorama Sport”, shtatlarti shprehet se është me i pjekur tashmë dhe beson se do të bindë stafin teknik dhe drejtuesit me paraqitjen në fushë. Në kampionatin e fundit në Kategorinë e Parë, beratasi ka arritur të shënojë 15 gola, duke qenë një lider te skuadra e Tomorit.

Aldrit, jeni rikthyer te Teuta pas një sezoni si i huazuar te Tomori. Si po shkon faza përgatitore?
Çdo gjë po shkon shumë mirë. Kemi marrë ngarkesën e duhur dhe ndihem në formë të mirë. Mendoj që jam pjekur mjaftueshëm për të bërë hapin e dëshiruar. Shpresoj të jap kontributin tim për ekipin e Teutës.

Ky është sezoni i tretë që jeni nën kontratë me Teutën, por pa mundur të jepni kontributin tuaj. Është ky momenti i shpërthimit tuaj?
Unë për momentin po mundohem të përshtatem me ekipin, e më pas shpresoj me punë dhe me pak fat, të bëj një sezon sa më të mirë.

Çfarë keni biseduar me trajnerin Arapi, mendoni se do të keni hapësirat e nevojshme tashmë që edhe Teuta ka bërë disa ndryshime?
Detyra ime si lojtar profesionist është të stërvitem fort dhe të jap maksimumin në çdo seancë. Më pas vendos trajneri kush luan ose jo.

Ju keni luajtur më parë me Luftëtarin në Kategorinë Superiore 34 ndeshje. Pas dy viteve në Kategorinë e Parë, besoni se keni eksperiencën e duhur për të qenë titullar i padiskutueshëm edhe te Teuta?
Mendoj se edhe pas eksperiencës së fundit në Berat, kam fituar pjekurinë e duhur që të jem gati për një sezon të mirë në Superiore. Siç dihet, lufta sportive është akoma më e fortë, por unë jam gati.

Te Tomori shënuat 15 gola në sezonin e fundit. Tashmë me fanellën e Teutës, me çfarë shifre do të kënaqeshit?
Te Tomori ishte një sezon pozitiv deri diku, por nuk do të kisha një numër fiks për Superioren. Natyrisht, sa më shumë gola, aq më mirë do të jetë. Unë jam sulmues dhe për gola jam këtu.

Në çfarë pozicioni e ndieni veten më mirë në repartin e sulmit, nga krahët apo në qendër?
Deri në këto momente po ndihem shumë mirë në qendër të sulmit, ku dhe jam aktivizuar së fundmi.

ZAMIR QYPI – Arena e Lajmit


“E treta, e vërteta”, Oshafi kërkon shpërthimin te Teuta pas dy viteve në “udhëtim”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook