Barcelona ka mbyllur me sukses turin amerikan dhe është kthyer në Spanjë. Pas suksesit kundër Nju Jork Red Bullit ka folur dhe portieri i saj, Mark Andre ter Shtegen. Duke komentuar fazën përgatitore, gjermani ka theksuar se gjithçka ka shkuar mirë, duke shpalosur edhe objektivat e katalanasve në sezonin e ri.
“Unë mendoj se kur ke një ekip si ai që kemi tani, ne jemi këtu për të luftuar për gjithçka. Mendoj se kemi një skuadër mjaft të mirë, me shumë lojtarë që do të na ndihmojnë shumë, po të marrim parasysh se sezoni do të jetë i gjatë dhe shumë i ngjeshur me ndeshje çdo tri ditë”. Ter Shtegen ka folur edhe për blerjet e reja të klubit, me fokusin te polaku, Robert Levandovski.
“Komunikoj gjatë gjithë kohës gjermanisht me të. Dëshiron të ambientohet sa më shpejt. Kemi afruar një sulmues të madh që do të na ndihmojë jashtëzakonisht”, ka thënë Ter Shtegen. Portieri i Barçës ka prekur edhe temën e së ardhmes së De Jongut me shpresën se holandezi do të qëndrojë në ekip.
Arena e Lajmit