Mauricio Poçetino më në fund ka filluar të flasë për eksperiencën e tij te PSG. Argjentinasi, i shkarkuar në fund të sezonit nga skuadra pasi nuk fitoi si zakonisht Ligën e Kampioneve, nuk u kursye aspak me thumbimet ndaj parisienëve dhe mënyrës së si administrojnë gjërat.
“Ishte një eksperiencë pozitive. Kemi fituar Superkupën, Kupën e Francës dhe kampionatin në një vit e gjysmë por është e qartë që PSG duhet të fitojë Ligën e Kampioneve dhe nëse nuk ia del, cilësohet një dështim. Por është një dështim prej 50 vitesh, jo vetëm i sezonit të kaluar, ka 10-11 vite që PSG fiton në vendlindje dhe blen lojtarë me objektivin për të triumfuar edhe në Europë. Mendoj se do t’ia dalë, pasi i ka burimet, por ka faktorë që nuk mund të kontrollosh”, tha Poçetino në një intervistë për “Infobae”.
“A kishim frikë ndaj Realit? Atëherë duhet t’i vendosim psikologun edhe Çelsit, Sitit e Liverpulit, ashtu si edhe të gjithë skuadrave që janë përballur me Realin kohët e fundit, ka gjëra që nuk mund të kontrollohen dhe nëse VAR do të rishikonte kontaktin e Benzema me Donaruma, gjërat do të shkonin ndryshe. Çfarë i ndodhi Çelsit? Çfarë i ndodhi Mançester Sitit që pësoi 3 gola në 5 minuta? Për çfarë po flasim? Për probleme psikologjike? Ka ndodhur gjithmonë, kujtojmë edhe finalen e famshme mes Liverpulit dhe Milanit. Skuadra që nuk ka çfarë të humbasë ndërmerr rreziqe ndërsa ajo që duket se ka fituar gjithçka, ka tendencën të mbrohet dhe në fund e pëson edhe në mënyrë të çuditshme.
Fiksimi është bërë Champions dhe çdo gjë që nuk është të fitosh Ligën e Kampioneve quhet dështim. Për stafin tim nuk ka qenë kështu. Mendoj se kemi bërë një punë të mirë, ndoshta që nuk njihet nga jashtë pasi pritshmëria ishte të fitohej Liga e Kampioneve. Ka skuadra që kanë besim te trajnerët si Mançester Siti dhe Liverpuli që kanë projekte afatgjata dhe të japin mundësinë të punosh. Ne fituam kampionatin me 15 pikë diferencë por u eliminuam nga Reali dhe patëm probleme. Siti eliminohet ndaj Realit, pëson 3 gola në 5 minuta dhe javën tjetër i blejnë Haland, duke i dhënë mundësinë trajnerit që të rikrijojë gjërat e të gjejë zgjidhje të reja. Projektet janë të ndryshme, nga një anë është Siti që i beson prej 7 vitesh një trajneri dhe nga tjetra është PSG ku duhet të fitosh Ligën e Kampioneve dhe jo kampionatin”, theksoi ndër të terja Poçetino.
Arena e Lajmit