Njohës i mirë i portës, Shtubina jep garanci: Egnatia është top në sulm

Për më tepër se dy javë Egnatia vijon fazën përgatitore verore në Ohër. Paralelisht me stërvitjet në kushte ideale dhe me ngarkesat e duhura që kërkon kjo periudhë, edhe programi i ndeshjeve miqësore të planifikuara, ka nisur të japë efektet e duhura. “Miqësoret po i shërbejnë më së miri konsolidimit të skuadrës sonë”, u shpreh dje në mesditë drejtori i FK Egnatias, Ndriçim Shtubina.

NDRICIM SHTUBINA 1

Më tej, Shtubina tregon optimizmin e tij dhe jo vetëm që ky moment para startit të sezonit të ri i ka shërbyer së tepërmi ekipit rrogozhinas, me gjithë ndryshimet thuajse rrënjësore në organikën e skuadrës, që të shfaqë një profil sa ambicioz po aq dhe interesant. Në funksion të gjithçkaje për ne është të shpërblehet investimi i bërë pa reshtur për skuadrën nga presidenti i saj z. Agim Demrozi.

NDESHJET – Vetëm përballë Strugës në miqësoren e parë ekipi i formuar rishtas, veçanërisht në pjesën e parë pati disa probleme më shumë me ambientimin në fushë dhe sipas roleve, sepse njohja fillestare ende si kishte shtrirë “tentakulat” të zgjedhja e përdorimi i manovrës së duhur në të tria repartet. Në takimet e tjera, Egnatia jo vetëm është përmirësuar dukshëm, por ka nisur të mendojë tashmë edhe për pozicionet e patundshme të disa futbollistëve që japin garancinë e duhur të një boshti solid. “Fitorja e pastër dhe e thellë me Ohrin, barazimi me Pobedën ku loja më shumë foli për ne, – nënvizoi drejtori Shtubina – sikurse fitorja minimale ndaj Teutës në Pogradec pasditen e së dielës, tanimë krijuan përshtypjen e palëkundur se zgjedhjet e bëra për formacionin po i japin të drejtë trajnerit Edlir Tetova që të mendojë më shtruar mbi konsolidimin e lojës në të tria repartet”.

SULMI DHE GOLAT – Nisur nga kampionati i kaluar ku Egnatia me përjashtim të brazilianit Pedro Augusto Kabral, me futbollistët e tjerë ndjeu jo pak vështirësi për shënimin e golave, duket se në prag të sezonit të ri, më së paku nga opinioni i deritanishëm i miqësoreve të luajtura, po fiton edhe disa lojtarë me veti të plota finalizuese. “Kongolezi 32-vjeçar me shumë përvojë, Dzon Delarzhe, duket sikur ka rigjetur besimin për golat. Ai shënoi dy herë ndaj Strugës dhe humbi edhe një 11-metërsh kur rezultati ishte 2-4 e mund të kishte rihapur sërish ndeshjen. Por krahas tij është edhe italiani Eduardo Peshialo me moshë të re 20- vjeçare që po shfaq nuhatje dhe ka arritur të shënojë edhe ai dy gola. Një ndaj Ohrit edhe një ndaj Pobedës. Në fitoren e pastër me Ohrin dy prej golave i realizoi Ilir Camaj.

egnatia

Sulmuesi i ardhur nga Tuzi duhet thënë se ka treguar formë të mirë edhe në miqësoren e fundit me Teutën, pavarësisht se shpërdoroi edhe 2-3 raste të “qëruara” para portës durrsake, megjithatë jep premisa se do të jetë një prej opsioneve nga ku sulmi i Egnatias do të gjejë më shumë konkretizime të aksioneve. Dy sulmuesit e tjerë, braziliani 25- vjeçar Fernando Medeiros që shënoi nga pika e bardhë e 11- metërshit në limitin e kohës shtesë të takimit me Teutën dhe u dha fitoren rrogozhinasve apo 21-vjeçari kavajas Flavio Meçja me lëvizshmërinë, shpejtësinë dhe aftësitë goditëse të portës, sjellin një rivalitet për të pasur Egnatia gjithnjë e më shumë alternativa në repartin e sulmit.

Krahas emrave që cituam e që kanë shënuar në 4 miqësoret e luajtura, duket se me futbollistë të tjerë sulmues apo dhe me lojtarë që mbështesin nga vija e dytë (mesfusha) apo dhe nga reparti difensiv, se manovra e Egnatias ka më tepër frymëmarrje dhe kjo do të ndihmojë që skuadra të mos e përjetojë aspak “krizën” e golit e të rezultateve edhe në ndeshjet e kampionatit, që dihet, janë shumë herë më të ndryshme e më të forta sesa ndeshjet miqësore. Këto të fundit megjithatë e kanë dhënë më shumë se një sinjal inkurajues për ne”, u shpreh dje posaçërisht për “Panorama Sport” drejtori Shtubina.

FATMIR EFICA – Arena e Lajmit


Njohës i mirë i portës, Shtubina jep garanci: Egnatia është top në sulm

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook