EKSKLUZIVE/ Fitoi titullin si bardheblu, tani e synon si i kuq. Flet “elektroni i lirë” Hoti: Ja pse zgjodha Partizanin

Në këtë verë, Partizani mundi të marrë një “engjëll” andej nga nuk e mendonte. Pasi u nda me Tiranën, rivale historike e “demave”, Engjëll Hoti vendosi të kalojë te Partizani dhe të provojë të fitojë titullin kampion në anën tjetër të kryeqytetit.

Hoti

“Xholi” dardan me pasaportë gjermane ka treguar menjëherë se mund të jetë një lojtar i rëndësishëm për Partizanin në sezonin e ri. Ai ka shënuar disa gola në miqësore, duke dhënë sinjale shumë pozitive. 25- vjeçari ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ku ka treguar rreth vendimit për t’u bashkuar me Partizanin, miqësores së zhvilluar me Dinamon, por edhe rreth objektivave e përballjes së ardhshme me ish-klubin, Tiranën.

Engjëll, si erdhi vendimi për të kaluar nga Tirana, te Partizani? U menduat ndopak, duke pasur parasysh faktin që janë klube me mjaft rivalitet?
Kur vendosa të ndaj rrugët me Tiranën, pashë opsionet për të zgjedhur cilat ishin destinacionet më të mira për mua. Kur u kontaktova nga Partizani, mendova të qëndroj edhe një vit në Shqipëri, sepse më pëlqen qyteti i Tiranës, jam ambientuar shumë mirë dhe mendova se nëse qëndroj këtu, e bëj në klubet më të mëdha si Partizani dhe Tirana. Këto janë top-klubet e Shqipërisë dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore që zgjodha transferimin te Partizani.

Shkëlqyet që në ndeshjet e para. Çfarë ju ndihmoi të ambientoheshit aq shpejt te Partizani?
Për ambientimin më kanë ndihmuar shumë shokët e ekipit. Ata më kanë pritur shumë mirë dhe më kanë respektuar, e kam ndier veten shumë mirë falë tyre dhe stafit të klubit gjithashtu. Kjo ka qenë edhe arsyeja që ia kam nisur mirë që në miqësoret e para, duke shënuar gola.

Te Tirana dhe së fundmi te “demat” ju kemi parë të luani në disa pozicione, cili është roli juaj ideal?
Po, kam luajtur disa pozicione të ndryshme. Jam lojtar që mund të luaj si numër 10, pra fantazist, gjithashtu si numër 8 në rolin e mesfushorit ofensiv, por mund të bëj edhe punë defensive, nuk e kam problem. Mund të luaj edhe si “pykë”, e kam bërë në disa raste. Normalisht që ndonjëherë nëse i duhem profesorit mund të luaj në krah. Preferoj krahun e majtë, sepse mund të depërtoj në brendësi me këmbën e djathtë që e kam më të fortë dhe të godas apo të shërbej shokët. Mund t’i bëj të gjitha këto, por pozicioni që më pëlqen më shumë është të jem “elektron” i lirë në mesfushë dhe të mund të bëj zgjedhjet e mia dhe pak fantazi.

engjell hoti

Cili është objektivi juaj në këtë aventurë të re që keni nisur?
Objektivi im është të kem një sezon të suksesshëm, pa lëndime dhe normalisht të shkëlqej, por synimi im më i madh është të fitoj sërish titullin, këtë herë me Partizanin.

Si ju duk paraqitja e skuadrës në tërësi? Po juaja, meqenëse arritët të shënoni?
Këtë javë nuk kam mundur të stërvitem me ekipin për rreth 3-4 ditë, sepse kam pasur një shqetësim të vogël fizik dhe kjo ishte arsyeja që u aktivizova në pjesën e dytë. E ndjeva veten shumë mirë dhe munda të shënoj dhe të ndihmoj ekipin. Normal që skuadra ka qenë pak e lodhur dhe nuk ka qenë në gjendjen fizike optimale për të fituar ndeshjen ndaj Dinamos. Goli erdhi nga një top i gjatë në krah, pashë hapësirën dhe sulmova zonën e 16-shes. Çunat e dinë se e kam goditjen e mirë, më pasuan si duhet dhe nuk e pata shumë të vështirë të godisja dhe të shënoja.

A mund ta fitojë kjo skuadër aktuale e Partizanit titullin kampion apo ka ende nevojë për përmirësim në merkato?
Skuadra në përgjithësi ka në organikën e saj lojtarë shumë të mirë, kemi pothuajse çdo pozicion të dubluar. Normalisht na duhet edhe pak punë, sepse pas ndeshjes që humbëm ndaj Saburtalos na ka rënë pak morali, por besoj kur të nisë kampionati do të jemi me energjinë në maksimum dhe besoj se në këtë sezon do të jemi pretendentë për titullin kampion.

ENGJELL HOTI

Shumë shpejt nis kampionati dhe përballë do të jetë edhe Tirana, nëse shënoni ndaj tyre, do të festoni?
Kam respekt për Tiranën dhe gjithë njerëzit rreth atij klubi, por tani jam pjesë e një klubi tjetër, nuk e di si do të jetë momenti në ndeshje. Do të jap maksimumin për Partizanin dhe nëse shënoj, normalisht që do të gëzohesha, por nuk e di nëse do të festoj. Varet nga momenti.

DENIS LALA – Arena e Lajmit


EKSKLUZIVE/ Fitoi titullin si bardheblu, tani e synon si i kuq. Flet “elektroni i lirë” Hoti: Ja pse zgjodha Partizanin

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook