Mesfushori i Realit, Toni Kros, është një nga emrat më të diskutuar në Madrid. Gjermani ka zgjedhur të mos rinovojë kontratën me kampionët e Spanjës dhe të Europës. Ai ka deklaruar se do të presë fundin e sezonit për të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me të ardhmen e tij. Ajo që vlen të përmendet është se Kros ka treguar një formë të shkëlqyer gjatë fazës përgatitore që Reali ka zhvilluar në SHBA dhe veçanërisht në suksesin e fundit përballë Juventusit.
Kontrata e tij përfundon më 30 qershor dhe siç raportohet nga “SER”, ai ka zgjedhur të presë përpara se të zgjasë angazhimin e tij te Reali, aty ku mbërriti tetë vjet më parë.
Nëse paraqitja e tij është e ngjashme me atë që shfaqi në miqësoren e fundit në SHBA, zgjedhja do të jetë më e lehtë. Por e ardhmja e gjermanit te Reali i Madridit lidhet jo pak me atë të Karlo Açelotit në krye të “Merengues”.
Ish-mesfushori i Bajernit të Mynihut është një nga lojtarët e përzgjedhur të italianit. Ançeloti e ka bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se në njëmbëdhjetëshin e tij kundër Frankfurtit më 10 gusht në finalen e Superkupës së Europës, Kros do të jetë titullar në fushë.
Në skuadër janë afruar lojtarë të rëndësishëm si Tçuomeni, Kamavinga si dhe Valverde. Ata kompletojnë mesfushën e së ardhmes. Ata janë “rock and roll”, siç do të thoshte Karlo, por trajneri nga Rexhiolo e ka ende të qartë se treshja e tij e preferuar e mesfushës është ajo e përbërë nga Kasemiro, Modriç dhe Kros.
Jo më kot pas suksesit kundër Juventusit në Los Anxhelos, trajneri italian e ka etiketuar treshen veterane të mesfushës së Realit si “Trekëndëshi i Bermudës”.
E pa dyshim që Kros ka një rol thelbësor në manovrën e skuadrës së Ançelotit. Mediat spanjolle gjithashtu kanë bërë me dije pak kohë më parë se Ançeloti do të investohej personalisht për të bindur Krosin të rinovonte kontratën me Realin.
Kros e ka kuptuar një gjë të tillë dhe siç raporton gazeta “AS” ka dalë hapur në kërkesat e tij drejtuar klubit si një kusht për rinovimin e kontratës.
Kros ka qenë i qartë duke deklaruar se qëndrimi i trajnerit Ançeloti është një kusht edhe për vetë gjermanin për të vijuar bashkëpunimin me Realin e Madridit përtej vitit 2023.
Të dy së bashku kanë një bashkëpunim të shkëlqyer dhe forma e jashtëzakonshme e gjermanit në këtë prag sezoni është një tregues.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – Arena e Lajmit