Sezoni i ri i Bundesligës ka nisur me …. Gjithsesi, kjo ishte vetëm etapa e parë e një sezoni që parashikohet të jetë më shumë sesa thjesht i gjatë, duke qenë se ai do të ndërpritet në mes nga Botërori në Katar dhe shumë surpriza mund të ndodhin.
Por në pritje të tyre, e përditshmja “Kicker” ka listuar një seri me statistika pikante për çdo skuadër. Nga lojtari më i ri, te më i moshuari! Nga mëkatari i të verdhave te lojtarët autoktonë, janë këto 18 pikantet e Bundesligës.
VERDER BREMEN – Ole Verner është trajneri me moshën më të re. Ai do të festojë debutimin e tij në Bundesligë, teksa do të jetë vetëm 34 vjeç e 94 ditë, duke u bërë kështu i treti më i ri në historinë e Bundesligës dhe të Verderit. Përpara tij në këtë klub kanë drejtuar edhe Sep Piontek (viti 1971, 31 vjeç e 239 ditë) dhe Volfgang Veber (viti 1978, 34 vjeç e 47 ditë).
SHALKE 04 – Klubi i Shalkes është skuadra që ka ndryshuar më shumë se kushdo tjetër formacionin titullar të skuadrës, pas ngjitjes në Bundesligë, me plot 7 risi.
HERTA BERLIN – Quajeni skuadra e futbollistëve besnikë. Pikërisht kështu, pasi kryeqytetasit kanë në përbërje numrin më të lartë të futbollistëve që kanë lindur në qytetin që përfaqëson klubi: KevinPrinc Boateng, Maksimilian Mitelshtadt, Linus Geshter, Jesik Ngankam dhe Marton Dardai, të gjithë të lindur në Berlin.
SHTUTGART – Klubi në fjalë, jo sivjet, por në dy sezonet e fundit do të ketë grupin e futbollistëve me moshë mesatare më të vogël, diçka më shumë se 23 vjeç. AUGSBURG – Kanë mesataren e pikëve më të ulët të Bundesligës, duke mos i kaluar në histori 1.15 pikët për ndeshje. Por edhe pse kaq dobët, Augsburgu nuk ka zbritur kurrë nga elita.
BOHUM – Edhe pse kanë vjet ishte pjesë e Bundesligës, Bohumi ka grupin e lojtarëve me më pak eksperiencë mes 18 më të mirave të Gjermanisë. Grupi i futbollistëve aktualë numërojnë vetëm 798 ndeshje të gjithë bashkë në Bundesligë.
VOLFSBURGU – Ndonëse një emër i rëndësishëm, të gjelbrit janë skuadra që ka pësuar rënien më të madhe në renditje mes dy sezoneve të kaluara: të katërtit në 2020-2021 dhe të 12-ët në 2021-2022.
FRANKFURT – Ajntrahti është ekipi që në historinë e tij ka vënë në vitrinën e Bundesligës më shumë lojtarë të ndryshëm se kushdo tjetër, plot 453 të tillë. Madje, sivjet kanë në përbërje edhe 12 lojtarë të tjerë që nuk kanë luajtur ende asnjë ndeshje në elitë. Shkurt, pritet thellim rekordi.
MYNSHENGLADBAH – Shënojeni këtë emër: Toni Janktshke. Mes lojtarëve të këtij sezoni, ky është lojtari që ka qëndruar më shumë se kushdo tjetër në stol, 114 ndeshje. Ndërkohë, sivjet ka shanse reale që të thyejë rekordin historik të Bundesligës, 122 pankinat e Kristof Jankerit (sezoni 1992-1993).
HOFENHAIM – Një skuadër që nuk e tërheq lehtë këmbën. Të paktën këtë thonë shifrat, duke qenë se lojtarët e Hofenhaimit me janë rekordmenë të kartonëve të verdhë, falë 387 paralajmërimeve të marra.
MAINC – Ndonëse është një realitet i bukur prej vitesh tashmë, kjo skuadër është ende shumë larg 17 rivaleve të tjera për sa i përket numrit të pikëve në total që ka grumbulluar në historinë e saj në Bundesligë (682). Edhe Bohumi, rivali i ardhshëm sot, numëron më shumë se dyfishi (1416).
KËLN – E kanë edhe këta diçka për t’u mburrur: janë skuadra që ka shkaktuar më pak autogola në Bundesligë, një. Imagjinoni se si duhet të ndihet shkaktari Timo Hybers!
FRAIBURG – Ka trajnerin më ekspert të këtij sezoni. Jo vetëm për sa i përket moshës 57-vjeçare (më i moshuari mes 18 rivalëve), por edhe për numrin e ndeshjeve të drejtuara (321). Nëse gjithçka shkon sipas planeve, Streish do të thyejë rekordmenin e klubit të Fraiburgut, Folker Finke, me 340 takime në stol.
UNION BERLIN – Pas largimit të Taivo Avonijit, aktualisht është Robin Knoshe goleadori më i mirë i skuadrës, me 13 gola të shënuar në karrierë. Asnjë klub tjetër nuk ka një lojtar në shifra kaq të ulëta golash në karrierë, për sa i përket repartit sulmues.
LAJPCIG – Me një gjatë mesatare prej 182.2 centimetrash, “Demat” kanë grupin e lojtarëve më të shkurtër të kampionatit. Lojtari më shtatshkurtër është Solomon Bonah, vetëm 165 centimetra.
LEVERKUSEN – “Aspirinat” janë skuadra që kanë ndryshuar më pak në formacionin titullar nga një sezon më parë. Adam Hlozek do të jetë risia e vetme këtë sezon.
BORUSIA DORTMUND –Niko Shloterbeku ishte mbrojtësi më i pakalueshëm i sezonit të kaluar të Bundesligës me 68.3 për qind të dueleve të fituara. Por sivjet, duke i shtuar edhe Niklas Zylen në prapavijë (i treti në sezonin e kaluar me 67.8 për qind), verdhezinjtë duket se do të jenë thjesht të frikshëm për sulmuesit rivalë.
BAJERN MYNIH – Që janë rekordmenë dihet, por në të njëjtën kohë janë edhe më ekspertët, për sa i përket eksperiencës së grupit. Lojtarët aktualë të Bajernit numërojnë së bashku një total prej 2938 ndeshjesh të luajtura në elitën gjermane. Më eksperti mes ekspertëve është portieri dhe kapiteni, Manuel Nojer, i cili këtë sezon do të presë dhe kalojë numrin e 500 prezencave, gjithmonë nëse i luan të gjitha takimet.
Arena e Lajmit