Bekim Rexhepi erdhi te Partizani për të konkurruar fort për portën me Teqjen dhe Hoxhën. Pas qëndrimit të këtij të fundit, te Partizani është krijuar një situatë e vështirë për sa i përket zgjedhjes së portierit titullar. “Panorama Sport” ka arritur të mësojë se Rexhepi deri më tani nuk ka arritur të mposhtë konkurrencën e Teqjes e Hoxhës dhe klubi po mundohet të gjejë në zgjidhje për të.
Në ditët e fundit është diskutuar huazimi i 25-vjeçarit, me Bylisin, që qëndron në “pole” për të fituar shërbimet e ish-gardianit të Skënderbeut. Në rast se ky operacion finalizohet, kjo do të përbënte një precedent aspak të zakonshëm, pasi Rexhepi vjen nga një sezon i mirë me Skënderbeun dhe u mor me planin për të qenë ai portieri që do të pasonte Alban Hoxhën mes kuadratit. Por situata ndryshon shpejt, sepse forma e mirë e Teqjes ka sjellë një “amulli” mes katërkëndëshit.
Në miqësoren e shkuar ndaj Bylisit, trajneri Mehmeti i aktivizoi të tre portierët nga 30 minuta, me Rexhepin, që luajti në një kohë fatkeqe për Partizanin, sepse pësoi dy gola nga ballshiotët, të cilët do të ishin gati ta vendosnin titullar shkupjanin.
Arena e Lajmit