SPAK ka firmosur urdhër arreste për disa personazhe të njohur të botës së krimit. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se janë firmosur urdhër-arreste për Ervis Martinajn, Suel Çelën, dhëndrin e ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Sokol Sanxhaktarin, Talo Çelën dhe Kamber Mehjan. Nga këta Sokol Sanxhaktari është në burg për vrasje. Talo Çela është në kërkim, i akuzuar për disa krime.
SPAK ka kërkuar arrestimin e tyre dhe Gjykata e Posaçme më pas i ka miratuar urdhrat e arrestit. Janë firmosur mbi 55 urdhër kontrolle në ambiente të ndryshme si shtëpi, hotele apo vende të njohura si baza të grupeve. Personat e skeduar dyshohen për vrasje, rrëmbim personi dhe shantazhe.
Mes të arrestuarve në Elbasan rezulton një oficer policie. Ai dyshohet se ka pasur lidhje me grupet kriminale në qytet.