Te Dinamo pritet edhe ndonjë lëvizje e fun dit në merkato që skuadra të jetë plotësisht e kompletuar për sezonin e ri, ku synimi nuk është thjesht rikthimi në Superiore.
Drejtuesit e klubit kryeqytetas e kanë thënë hapur se synojnë që të hedhin njëkohësisht edhe bazat e skuadrës së një sezoni më pas, në mënyrë që të mos u duhet të bëjnë gjithçka nga e para. Duke parë edhe paraqitjen e skuadrës në miqësoret e fundit, në kampin blu ka optimizëm për grupin që është krijuar nga trajneri Nevil Dede dhe stafi i tij.
PINARI – Ish-kapiteni i Dinamos, Luan Pinari, e sheh këtë skuadër në rrugën e duhur, duke iu referuar lëvizjeve që janë bërë në stol dhe në grupin e lojtarëve. “Mendimi im është se te Dinamo është punuar mirë gjatë kësaj periudhe. Duket që e kanë marrë seriozisht Kategorinë e Parë, që nuk është aspak e thjeshtë. Duket gjithashtu që kanë zënë mend nga gabimet që u bënë sezonin e kaluar. Është emëruar një trajner me eksperiencë, si Nevil Dede dhe po ashtu janë afruar lojtarë, të cilët do t’i bëjnë punë Dinamos në kampionatin e ri.
Kanë qëndruar disa lojtarë me kualitet dhe eksperiencë, siç janë Bakaj, Imami, Lilaj dhe ndonjë tjetër. Kanë qëndruar mendoj edhe për të shlyer sadopak atë ‘borxh’ nga sezoni i fundit, sepse edhe ata kanë qenë pjesë e dështimit të Dinamos me rënien nga Superiorja. Është afruar një lojtar si Asion Daja, me shumë eksperiencë. Për sulmin është marrë Taulant Marku, që është një ekspert i kësaj kategorie. Por edhe lojtarë të tjerë, disa prej tyre të rinj, që mund t’i shërbejnë edhe skuadrës së 21-vjeçarëve”, thotë Pinari fillimisht.
EKIPI PËR T’U MUNDUR – I pyetur më tej se a është në gjendje kjo Dinamo të kthehet në Superiore brenda një sezoni, Pinari nuk ka asnjë dyshim:
“Patjetër që po. Dinamo do të jetë ekipi për t’u mundur në Kategorinë e Parë. Për të gjitha ato që thashë. E theksoj se po punohet më me seriozitet se në klubet e tjera, që gjithsesi nuk duhen nënvlerësuar.
Dinamo nuk duhet ta vërë në diskutim rikthimin në Superiore, besoj se do të bëjë diferencën dhe pastaj do të mendohet me qetësi për skuadrën e sezonit tjetër. Që duhet të jetë një tjetër histori në krahasim me atë që pamë sezonin e shkuar”.
FATJON RUPI – Arena e Lajmit