Moviola e javës së 32-të në Kategorinë Superiore/ Dëmtohen Vllaznia dhe Tirana, Hamiti fal “lumë” kartonësh

Gabimet e arbitrave të fushës dhe VAR-it kanë vijuar edhe në javën e 32-të të Superiores. Teknologjia hyri në futboll për të eliminuar gabimet e arbitrave në fushë, kryesisht te penalltitë e dyshimta, por që vijojnë të mos shikohen nga VAR-i shqiptar. Në javën e fundit kemi penallti të mohuara për Tiranën dhe Vllazninë, ndërsa gjyqtari Hamiti pati probleme në menaxhimin e kartonëve në Kukësi-Partizani, ku fillimisht toleroi lojën e rëndë të vendasve. Gjithsesi, në këtë takim u vendos rekordi me 13 kartonë të verdhë dhe 3 të kuq.

VR 2

“Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme në javën e 32-të:

KUKËSI – PARTIZANI 1-2

Gjyqtarë: E. Hamiti (Lezhë), D. Rexha (Tiranë), E. Gjoka (Lezhë) / VAR: O. Yzeiraj (Patos), R. Zaimi (Tiranë);

Në një ndeshje me intensitet aq të madh dhe me ndërhyrje në limitet e kartonëve, gjyqtarit i lind shumë punë dhe mund të themi se kishte momente kur kjo ndeshje e çmendur i doli nga duart kryesorit Hamiti.

De Lukas duhej të ishte ndëshkuar me karton të kuq më parë dhe Dragoshi mund të përjashtohej gjithashtu pa bërë pasimin e parë. Gjithashtu Shqipërim Taipi nuk do ta kishte marrë atë të verdhë për gjaknxehtësi nëse do të ndëshkohej më parë.

7’ Shqipërim Taipi ndërhyn me intensitet nga pas ndaj Malës duke shkaktuar njëkohësisht edhe faull taktik, por gjyqtari zgjedh të mos e ndëshkojë. Rregullorja e parashikon qartë, por Hamiti ka hezituar prej minutës së shpejtë kur ndodhi episodi.

9’ Të njëjtën gjë mund të themi edhe për De Lukasin, që ndërhyn fuqishëm ndaj një prej kundërshtarëve të tij.

31’ Pëllumbi pengohet nga Hadroj në kufijtë e zonës. Hamiti akordon faull jashtë zonës dhe pamjet i japin të drejtë. 48’ Dragoshi, që ishte ndëshkuar kur ndodhej në stol në të parën, ndërhyn ashpër nga mbrapa, por Hamiti e kursen dhe nuk e përjashton.

87’ Lulaj godet direkt me takë Albion Markun në kavilje. Hamiti i nxjerr të verdhin, por ndërhyrja është në limitet e të kuqit.

90’ Maguet ndëshkohet me karton të kuq pas një përplasjeje pa top në fushë me kundërshtarin. Pamjet nuk janë të qarta, por mesfushori nuk proteston. Vendim i drejtë nga gjyqtari.

90+6’ Feizhao rrëzohet në zonë në një duel me Albion Markun. Më shumë duket aktrim i brazilianit, sesa faull i mbrojtësit.

TIRANA-TEUTA 1-1

Gjyqtarë: L. Alla (Lushnjë), N. Rrapaj (Patos), M. Qose (Lushnjë) / VAR: K. Cjapi (Fier), A. Malo (Lushnjë)

Përtej faulleve, që sidomos në pjesën e dytë u kontestuan nga Tirana, bardhebluve iu mohua një penallti në fillim të lojës. As VAR-i nuk ka ndërhyrë. Kartoni i Xhixhës qe i drejtë, por lushnjari fal Bekajn.

15’ Ivanoviçi mban për fanelle Seferin që pavarësisht bllokimit, e kalon mbrojtësin. Serbi kur kupton që kalohet, shtyn Seferin me të dyja duart dhe sulmuesi rrëzohet në zonë. Alla vazhdon lojën. Nuk ndërhyn as VAR-i. Vendim i gabuar i Allës dhe i VAR-it që jo vetëm nuk ndërhyn, por nuk jep as penallti. Pamjet filmike e tregojnë qartë.

90+2’ Xhixha ndëshkohet me karton të kuq. Pas një ndërhyrjeje të Jazxhit, Alla jep faull për Teutën, sepse Xhixha prek sferën me dorë. Sulmuesi nxehet dhe çohet, drejtohet nga gjyqtari dhe pastaj shkelmon topin që godet në trup arbitrin.  Gjyqtari Alla i tregon menjëherë të kuqin. Vendim korrekt i gjyqtarit për kartonin e kuq

Fundi i lojës: Bekaj shkon dhe i sulet gjyqtarit për të replikuar për vendimet e tij. Ndërhyn policia dhe e ndal gardianin. Gjyqtari nuk e ndëshkon me të verdhë për këtë gjest, por vendimi i drejtë do të ishte karton i verdhë. I dyti për portierin dhe i kuqi. Gabon Alla.

DINAMO – VLLAZNIA 0-0

Gjyqtarë: F. Lata, F. Lama (Durrës), E. Burgu (Fushë-Krujë); VAR: K. Prenga (Laç), E. Jorgji (Elbasan)

Dinamo-Vllaznia u gjykua nga Florian Lata, ndërsa në VAR ishte për herë të parë Klodian Prenga. Çuditërisht sektori i gjykimit kishte vendos si asistent në VAR ndërkombëtarin Enea Jorgji, duke treguar se po bën prova në këto javët e fundit.

39’ Gurishta rrëzohet në zonë pas duelit me Mijën dhe kërkon penallti. Rast i dyshimtë, por Lata vazhdon lojën, ndërsa edhe VAR-i nuk ndërhyn. Pamjet filmike tregojnë se mbrojtësi i Vllaznisë e ka tepruar me rrëzimin, në një kohë që ndërhyrja e Mijës ishte brenda limiteve.

42’ Da Silva harkon në zonë, ndërsa Imami e prek topin me dorë, por gjyqtari vazhdon lojën. Prekja është e dukshme dhe duhej akorduar 11-metërsh për Vllazninë. VAR-i nuk ndërhyn, por gabon.

79’ Sidibe rrëzon në zonë Jonuzin, që kërkon penallti. Lata vazhdon lojën, duke marrë një vendim të drejtë, pasi dueli ishte normal.

SKËNDERBEU–KASTRIOTI 2-0

Gjyqtarë: A. Beqiraj, N. Bregasi (Tiranë), E. Veseli (Fushë-Krujë); VAR: K. Shahini (Durrës), R. Avdo (Tiranë)

Skënderbeu-Kastrioti u gjykua nga Ardjan Beqiri.

I vetmi rast flagrant ishte në minutën e 35-të, kur Elvi Berisha i vjedh kohën mbrojtësit të Kastriotit, Husein, dhe më pas rrëzohet brenda zonës. Beqiri jep faull për lojtarin e krutanëve, ndërsa korçarët kërkojnë penallti. Një rast i dyshimtë, por arbitri kryesor është i bindur për vendimin.

EGNATIA – LAÇI 0-2

Gjyqtarë: J. Xhaja (Tiranë), I. Tartaraj (Fier), T. Kasa (Vlorë) / VAR: E. Hamiti, R. Çokaj (Lezhë)

Ndeshja në përgjithësi u mbyll pa probleme, ku edhe rastet e dyshuara u zgjidhën menjëherë në fushë pas komunikimit të kryesorit me dhomën VAR, duke u kontestuar nga palët në vazhdim.

Arena e Lajmit


Moviola e javës së 32-të në Kategorinë Superiore/ Dëmtohen Vllaznia dhe Tirana, Hamiti fal “lumë” kartonësh

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook