Pasditen e sotme do të mbahet protesta kombëtare e thirrur nga opozita, e cila zhvillohet në orën 16:00 para kryeministrisë.
Gazetarja Brikena Metaj raporton për BalkanWeb se sipas të dhënave, nga Gjirokastra janë nisur drejt Tiranës 60 protestues, nga Tepelena 40 protestues, nga Memaliaj 50 protestues, nga Përmeti 30 protestues dhe nga Këlcyra 35 protestues.
Ndërkohë gazetarja Lorena Kodra raporton se nga Korça janë nisur drejt Tiranës, 550 protestues, Pogradeci rreth 200 dhe nga Devolli 400 protestues.
Ndërkohë gazetari Elidon Ndreka bën me dije se nga Lezhë janë nisur rreth 2 mijë protestues, me automjete private, po ashtu edhe banorë të Mirditës dhe Kurbinit.
Sakaq, sipas gazetarit Enrik Mehmeti, nga Vlora janë nisur rreth 800 qytetarë, ndërsa nga qyteti i Durrësit gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton se bëhet fjalë për rreth 3000 protestues që janë nisur drejt kryeqytetit.
Gazetarja Eneida Petova raporton se nga qarku i Beratit janë nisur drejt Tiranës rreth 2300 protestues, ndërsa nga Kruja raporton gazetari Juli Shota, i cili thotë se drejt Tiranës janë nisur rreth 2 mijë qytetarë.