EKSKLUZIVE/ “As vetë nuk e di se si erdhi”, Belica tregon si e larguan nga Partizani: M’u komunikua në Pogradec (E PLOTË)

Egzon Belica nuk është më te Partizani. Mbrojtësi u përball me një vendim surprizë të klubit, që gjatë përgatitjeve në Pogradec e lajmëroi se nuk është më në plane dhe se largimi do të ishte zgjidhja më e mirë, për të mos përfunduar në ekipet “zinxhir”.

Belica

Lojtari nga Struga kishte edhe një vit kontratë, por zgjodhi të binte dakord dhe të ndërpriste kontratën me klubin, ku fitoi një titull kampion dhe një Superkupë në katër vite e gjysmë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi tregon të vërtetën e tij dhe gjithë prapaskenat e ndodhura.

Egzon, çfarë ndodhi? Titullar gjithë sezonin e në Europë, dhe papritur nuk jeni në plane. Si e shpjegoni këtë lëvizje të befasishme nga ana e klubit?

Të të them të drejtën as vetë nuk e di se si erdhi. Çdo gjë ndodhi shumë shpejt. Gjatë grumbullimit në Pogradec m’u komunikua se nuk i llogarisin më shërbimet e mia dhe e mira është të ndërpritet kontrata me mirëkuptim. U mundova të veproj sa më profesionalisht për të mos u bërë barrë për klubin, edhe pse mund të kishte mënyra të tjera për t’u ndarë. Gjithsesi, sporti kështu është dhe unë po mundohem t’i kaloj gjërat pa hatërmbetje.

Kush ishte personi që ua komunikoi faktin që nuk ishit në planet e stafit teknik?

Bisedimet i kemi bërë me drejtorin e ri (Elton Marini). Gjithsesi, çdokush ka punën e vet për të bërë dhe dikush duhej të ma komunikonte. Jemi munduar t’i zgjidhim gjërat në mënyrën më të qetë të mundshme. Megjithatë, jam i mendimit se e gjithë kjo duhet të kishte ndodhur më herët, që unë të kisha kohë për të gjetur një skuadër të re, jo më datë 10 gusht.

Si ndodhi largimi nga faza përgatitore? Nga klubi dolën lajme për një problem familjar, ishte e vërtetë?

Në momentin që m’u komunikua fakti që nuk isha në planet e ekipit, të gjithë e pamë të drejtë që unë të largohesha dhe të zgjidhja problemet me klubin në Tiranë. Sa i përket problemit familjar, asgjë serioze.

A kishit një komunikim me trajnerin Mehmeti?

Unë me profesor Mehmetin kam qenë mjaft i afërt dhe jam munduar ta ndihmoj në të gjitha mënyrat e mundshme që kam mundur. Ai mendonte se unë nuk jap më siguri. Ashtu e mendonte ai, ashtu le të jetë. Mendoj se të gjithë kanë të drejtën e tyre të kenë opinione personale.

Po me presidentin Demi, çfarë folët?

Presidentin Demi e kam takuar vetëm një ditë para se unë të nisesha për në Strugë. Shkova ta falënderoj për korrektësinë dhe për të gjithë kohën që kemi kaluar së bashku. Siç thashë edhe me parë, jemi munduar t’i bëjmë gjërat në mënyrën më të qetë të mundshme. Në fund e gjitha përfundoi me një përqafim dhe i uruam njëritjetrit suksese dhe Partizanit një sezon sa më të suksesshëm.

Cili mendoni se ka qenë shkaku që klubi mori vendimin për t’ju mënjanuar? A ndikoi ndeshja e fundit ndaj Saburtalos?

Sinqerisht, nuk e di. Mund të kenë qenë performancat e mia në ulje sipas stafit, por nuk mund ta them me siguri. Edhe ndeshja ndaj Saburtalos mund të ketë ndikuar, sepse u thanë në media shumë gjëra, disa prej të cilave nuk ishin siç thuheshin apo shkruheshin.

Por nuk dua të kthehem më, sepse dështuam të gjithë së bashku. A kam bërë gabime? Po, pa fund, por mos harro se nga 21 korriku i vitit 2021 deri më 22 korrik të vitit 2022 kam bërë 48 ndeshje zyrtare në Kupë, kampionat dhe Europë.

Si e kishit imagjinuar largimin nga Partizani?

Të them të drejtën nuk e kisha menduar asnjëherë. Dihet tashmë që lojtarët ikin dhe vijnë, kanë ciklet e tyre, por unë nuk e kisha menduar se do të vinte kaq shpejt. Do të kisha pasur dëshirë të zgjaste më shumë.

Për cilin nga çunat do t’ju marrë më shumë malli?

Për të gjithë. Te Partizani kam bërë dhe lashë miq, që do t’i kem gjithë jetën.

Cili ishte momenti më i bukur juaji me Partizanin?

Nuk do të ndërroja asgjë me fitimin e titullit kampion.

Po më i dhimbshmi?

Humbjet në derbi, pa dyshim.

Do t’ju pëlqente të vazhdonit karrierën në Kategorinë Superiore?

Patjetër. Futbolli im nuk do të përfundojë këtu. Besoj se kam edhe më shumë për të dhënë.

Flitet edhe për Shkëndijën dhe Ballkanin, keni pasur ndonjë kontakt?

Futboll është dhe asnjëherë nuk i dihet, por ka një koincidencë. Momentalisht trajner i Shkëndijës është Artim Shaqiri, që unë e kam burrin e motrës dhe të gjithë aty e bëjnë lidhjen. Por jo, deri më tani nuk kam pasur asnjë kontakt me asnjë klub, sepse desha që fillimisht të sqarohet gjithçka me Partizanin.

Ikën Mehmeti dhe vjen Kolela, mendoni se do të ndryshojnë gjërat për mirë?

Unë i uroj Partizanit një sezon sa më të mirë, sepse është vërtet një klub i madh me fansa pa fund. Ka tifozë, që i rrinë pranë natë e ditë. Pastaj se kush është trajner, pak rëndësi ka. E gjitha është që ekipi të shkojë mirë. Kam vetëm një falënderim dhe e bëj publikisht këtu për të gjithë ata tifozë që më kanë mbështetur gjatë gjithë kësaj kohe.

DENIS LALA – Arena e Lajmit

 


EKSKLUZIVE/ “As vetë nuk e di se si erdhi”, Belica tregon si e larguan nga Partizani: M’u komunikua në Pogradec (E PLOTË)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook