Teuta do të luajë nesër miqësoren ndaj Partizanit. Klubi durrsak ka zyrtarizuar axhendën e kësaj sfide, që do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana”. Përmes një postimi në kanalin zyrtar, “djemtë e detit” tregojnë se ndeshja do të luhet në orën 17:30. Dy trajnerët do të kenë mundësi të shohin gjendjen e lojtarëve në dispozicion.
Renato Arapi do të vërë pikat mbi “i” për të kristalizuar formacionin titullar të sezonit të ri, kurse Xhovani Kolela, i sapoardhur te Partizani, do të njihet më imtësisht me futbollistët që përbëjnë organikën e kuqe. Teuta ka filluar prej 4 korrikut përgatitjet për sezonin e ri futbollistik 2022-‘23. Blutë, nën drejtimin e Renato Arapit, kanë ndryshuar pamje nga sezoni i fundit. Kjo për shkak se tentohet rikthimi te sukseset, pas dështimit në edicionin e shkuar. Çfarë bie në sy te lista aktuale e lojtarëve të Teutës është se 2-3 lojtarë janë mbi 29 vjeç. Kështu, Arapi ka vendosur deri tani që ekipi i ri të ndërtohet pa veteranë, që Teuta i mbante në gjirin e saj. Me kalimin e ditëve, skuadra e Teutës po e rrit dozën e ngarkesave në përgatitje. Sakaq, i vetmi që nuk i është bashkuar ende grupit është mbrojtësi Xhekson, i cili vuan nga një dëmtim i mbartur nga sezoni i kaluar.
MANOVRAT
Këto ditë të përgatitjeve i kanë shërbyer të gjithë skuadrës për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin, pasi shumë pak futbollistë kanë mbetur nga sezoni i kaluar. Arapi ka tentuar manovra të ndryshme gjatë ndeshjeve që ka zhvilluar brenda grupit, duke shpresuar që të gjejë edhe atë ekuilibrin ideal në skuadër. Në fakt, dilemat e tij në këtë Teutë nuk janë të shumta sa u përket titullarëve, që ka projektuar për në fushë, sepse edhe alternativat nuk mungojnë. Për momentin është duke qartësuar edhe modulin me të cilin do të prezantohet në këtë sezon në kampionat, në mënyrë që të hedhë në fushë edhe lojtarët, që mund t’i shërbejnë më mirë. Gjatë përgatitjeve të kësaj jave janë provuar të disa module, por është ende herët për të dalë në konkluzion. Nga ana tjetër, duket se e gjithë loja do ta bazohet te këmbët e dy Lorencëve, të cilët do të kenë detyrën që të shtyjnë skuadrën përpara dhe të nisin aksionet sulmuese.
Arena e Lajmit