EKSKLUZIVE/ “Në Shqipëri gabojnë me talentet”, Jurgen Bardhi: Mehmeti të rrijë (E PLOTË)

Nesër është një ditë jo e zakonshme për tifozët e futbollit shqiptar, sepse përballen rivalët historikë, Tirana dhe Partizani, në “Elbasan Arena” në orën 18:45. Në prag të derbit, “Panorama Sport” intervistoi një nga lojtarët më të mirë të dalë nga klubi i kuq në vitet e fundit, Jurgen Bardhin. Fantazisti i të kuqve tregon për eksperiencën pozitive që po kalon në Turqi te Tuzlaspor, teksa tregon gjithashtu se ka dëshirë që derbin ta vendosë Bitri. 24-vjeçari shprehet mes të tjerash se për Tiranën do të jetë mision thuajse i pamundur hakmarrja për ndeshjen e vitit 2019, kur të kuqtë mundnin bardheblutë dhe festonin titullin.

jurgen bardhi

Po bëni mirë te Tuzlaspor, çfarë ju ndihmoi të përshtateshit kaq shpejt me futbollin turk?

Kur erdha në fillim ishte pak e vështirë, sepse këtu është tjetër stil loje në krahasim me Shqipërinë. Nëse atje i kushtojnë rëndësi të madhe taktikës, këtu nuk merren thuajse fare me këtë pjesë, por i kushtohen më shumë forcës dhe shpejtësisë. E dija se më duhej të ambientohesha shpejt, sepse më duheshin minuta. Unë kam ardhur këtu me synimin për të bërë sa më mirë në karrierë. U bashkova edhe pak vonë me ekipin, sepse Partizani më kërkoi që të qëndroja për Kupat e Europës dhe vendosa ta ndihmoja ekipin, megjithëse humba disa oferta nga klube të tjera. Gjithsesi, arrita të vija në nivelin ku doja dhe më ka ecur mirë deri në njëfarë mase. Isha në formë të mirë, por më pas problemet në klub, sidomos largimet e shpeshta të trajnerëve, e bënë pak të vështirë këtë pjesë. Kur shënova golin e katërt timin, u dëmtova në kavilje dhe u desh të ndalesha. Këto kohë nuk po luaj si titullar, sepse ekipi po ecën mirë. Janë edhe pak ndeshje për t’u zhvilluar, shpresoj të kthehem titullar, sepse është e vështirë.

Jeni ndër të vetmit nga të larguarit në verën e shkuar, që keni arritur të bëni mirë në ligat jashtë vendit. Si ndiheni për këtë?

Futbolli është fat. Në fakt edhe Bitri bëri mirë tek Astana, por nganjëherë futbolli është edhe fat. Varet me çfarë situatash përballesh. Për shembull, Çinari është në një ligë me mua, por është në një ekip, që pretendon më shumë dhe ka më shumë presion. Pastaj, siç thashë më lart, nëse në Shqipëri nuk u japin dorë produktit vendës, këtu e bëjnë dhe ne të huajt e kemi të vështirë. Ndoshta kam pasur pak më shumë fat se të tjerët.

Pretendoni të transferoheni në një klub akoma më të mirë në verë apo keni në plan të qëndroni te Tuzlaspor?

Që në momentin kur vendosa të largohem nga Partizani, u thashë drejtuesve atje se dua të largohem dhe të provoj veten sa mund të arrij. Jam tip që dua të eci shumë në karrierë. Nuk mendoj vetëm pjesën që të arrij një klub ku të paguhem mirë, të bëj një dorë të mirë parash dhe ta mbyll aty. Dua të arrij sa më shumë. Shpresoj të kem fatin me vete.

Nesër luhet derbi Partizani-Tirana. Do të donit të ishit në fushë për t’i përjetuar sërish ato emocione?

E kam ndjekur Partizanin në çdo ndeshje dhe jam gjithmonë aty, nuk ka lidhje sa kilometra larg jam. I ndiej aq shumë ndeshjet e Partizanit, sa dikush që po luan në fushë. Jam dhe do të jem gjithmonë fansi numër një i Partizanit.

Cili është momenti juaj më i mirë ndaj Tiranës? Po ndeshja që ju ka mbetur më shumë në memorie?

Momenti më i mirë imi personalisht ka qenë goli i parë i shënuar në “Air Albania”. Stadiumi ishte i mbushur plot dhe ai gol më ka dhuruar emocione të jashtëzakonshme. Ndeshja që më ka mbetur më shumë në mendje më shumë se të gjitha është ndeshja kur Hebaj ka shënuar dy gola dhe ia kemi përmbysur rezultatin Tiranës. Gjithashtu edhe ajo kur fituam titullin, por ajo përmbysje më ka ngelur më shumë në memorie.

Tirana do të provojë të hakmerret për atë derbi në 2019-ën, kur Partizani siguroi titullin. Do të mund t’ia arrijë?

Partizani është Partizani dhe kushdo që të luajë përballë asaj fanelle duhet të sigurohet shumë mirë për të arritur diçka. Çfarëdo organike të ketë Partizani, edhe po të jetë në vendin e fundit, sërish rivalët do të druhen në përballjet ndaj tyre. Kështu, asgjë nuk do të jetë e lehtë ndaj Partizanit.

Cili ekip ju duket më i motivuar për ta fituar këtë ndeshje?

Edhe kur Tirana ka qenë dobët dhe Partizani ka qenë për titull, të dyja ekipet e kanë pasur në nivel maksimal motivimin. Kjo ndeshje nuk lidhet aspak me situatën aktuale të klubeve. Është diçka tjetër. Janë histori më vete përballjet mes këtyre dy emrave.

Cili lojtar do të donit ta vendoste derbin?

Nuk e kam me patjetër ndonjë preferencë, mjafton të fitojë Partizani. Kam shumë dëshirë që ta vendosë Bitri, sepse nëse shënon edhe në derbi, dijeni se ai nuk ndalet më, sepse vetëm kjo i mungon (qesh).

Si ju duket Partizani nën drejtimin e Dritan Mehmetit?

Profesori është një trajner me shumë vizion dhe një njeri i mirë mbi të gjitha, që i kupton lojtarët, i ndihmon. Po ta shohësh, ka bërë diçka ndryshe, pa i hequr meritat profesor Dajës, që është një nga trajnerët më të mirë, që unë kam pasur në gjithë këto vite. Siç e dini, unë kam ndërruar shumë trajnerë, por vizionin dhe idetë e lojës që ka, ai është ndër më të mirët. Mehmeti ka dhënë një ndihmë të madhe në vitin e titullit dhe gjithashtu mund të them se më ka ndihmuar shumë në atë vit. Gëzoj shumë respekt për profesorin dhe uroj të ngjitet sa më lart në karrierën e tij.

A do të ishte padrejtësi nëse Partizani nuk do t’ia jepte shansin të vazhdonte edhe sezonin e ardhshëm në krye të stolit?

Nuk e di, është vendim i klubit. Unë personalisht dua që të vazhdojë profesori. Unë gjithmonë kam qenë pro emërimit të tij në krye të ekipit të parë. Gjithsesi, edhe nëse nuk qëndron, profesor Dritani i ka të gjitha dyert e hapura, sepse kush bën mirë dhe përballon presionin që mbart përfaqësimi i Partizanit, mund të bëjë mirë kudo.

Çfarë e pengoi Partizanin që të luftonte për titullin?

Nuk e di tamam, por siç thashë më lart, Daja kishte shumë ide dhe cilësi, por te Partizani aktualisht ka mjaft lojtarë, që e vuajnë presionin e fanellës dhe lojës.

Cili nga lojtarët aktualë të Partizanit e ka cilësinë të ndjekë hapat tuaj për t’u transferuar në ligën e parë turke apo diku tjetër?

Nuk është vetëm çështje cilësie, por edhe fati dhe menaxhimi. Kush është në fund të kontratës mund t’i vijë një ofertë e mirë nga jashtë. Në Shqipëri ka një problem. Klubet atje kërkojnë me patjetër të përfitojnë shumë nga një talent që mund të kenë, por duke e mbajtur gjatë, dëmtojnë veten dhe lojtarin. Përderisa ti një talenti i jep një rrogë relativisht të ulët për shkak të moshës së tij, nuk ke përse pretendon me patjetër një shifër të madhe shitjeje, të cilën në fund nuk e merr, dhe lojtari të ikën me parametra zero. Ky është një gabim, që është bërë edhe me mua në njëfarë mënyre. Duhet ta lësh produktin tënd të përparojë, sepse nëse shet një, dy, tre e me radhë, edhe të rinjtë atje e kuptojnë se mund të ecin përpara. Është si tregtia, fillimisht duhet të fitosh pak, për të fituar më pas më shumë. Kjo është mënyra më e mirë, që lojtarë të tjerë të ndjekin hapat e Balajt, Roshit, Uzunit apo shumë e shumë të tjerëve.

DENIS LALA – Arena e Lajmit


EKSKLUZIVE/ “Në Shqipëri gabojnë me talentet”, Jurgen Bardhi: Mehmeti të rrijë (E PLOTË)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook