EKSKLUZIVE/ “Duhet punë me akademitë, ndryshe nuk bëjmë përpara”, Edmond Miha: Respekt për karrierën e Rejës, por… (E PLOTË)

Edmond Miha ka më shumë se dy dekada që është larguar nga Shqipëria dhe nuk ka dashur gjithë këto vite që të japë “leksione” nga larg. Mirëpo, ka personazhe si Sulejman Starova, që ndonjëherë të prekin në tela dhe të nxisin ta thyesh këtë heshtje të stërgjatë. Miha është i sinqertë në këtë pikë dhe në rrëfimin ekskluziv për “Panorama Sport” e pranon se çështja e trajnerëve në Shqipëri është një problem i madh. 

EDMOND MIHA 1

Ish-tekniku i njohur i Teutës jep këshilla të vlefshme për organizimin e futbollit në të ardhmen në të gjitha nivelet. Ai ka drejtuar dikur Shpresat dhe ka qenë fare pranë stolit të Kombëtares shqiptare, por rrëfen me trishtim se dikush ia mori vendin me urdhër politik. Prej 10 vitesh jeton në Austri, por durrsaku i ndjek me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe nuk e fsheh pakënaqësinë edhe për mënyrën se si po shkojnë gjërat në ekipin kombëtar.

Z.Miha ku jetoni tani dhe me çfarë merreni?

Në përgjithësi mirë. Unë prej gati 10 vitesh jetoj në Austri. Dy-tri vitet e para u mora me futbollin me ligat e treta. Mirëpo, nuk kishin gjendje financiare të mirë dhe kështu që nuk më tërhiqte më. Bashkë me gruan kishim një shkollë për gjuhë të huaja, por tani kemi mbyllur çdo gjë. Kemi dy vjet që prej pandemisë që nuk po punojmë më. Duam të jetojmë pak tani se jemi të lodhur. Profesioni ynë është i bukur, por është edhe i lodhshëm. Për situatat që kemi kaluar…

A e ndiqni situatën në Shqipëri?

Po. E ndjek nëpërmjet gazetave, veçanërisht “Panorama Sport”. Marr informacione, por nuk komentoj.

Pse nuk komentoni?

Nuk kam dëshirë fare të komentoj. Nuk kam pasur dëshirë të hap biseda për kohën që kam kaluar.

Para se të nisnim intervistën më thatë se ju nxiti për të folur një intervistë e Sulejman Starovës para pak ditësh te “Panorama Sport”. Çfarë ju ngacmoi aty?

Më ngacmoi më shumë tema e trajnerëve. Pyetja që i kishit bërë për problemin e trajnerëve. A ka trajnerë dhe drejtues si dhe a janë kompetentë…? Starova u ishte përgjigjur që “ka pak trajnerë elite”. Kjo më dha shkak. Më dha më tepër shkak meqë Starova ka filluar një punë të re. Unë jam larguar nga Shqipëria për shkak se isha trajner i ekipit kombëtar Shpresa, drejtor teknik dhe hodha kandidaturën për trajner të Kombëtares. Fitova zgjedhjet në 1994-ën, por pas një ore, çdo gjë ndryshoi sepse u fut politika.

Në çfarë kuptimi u fut politika?

Problemi qëndron në atë, që trajneri i ekipit kombëtar atëherë u vendos nga politika.

Dhe kush u vendos?

Nuk më pëlqen të merrem me këtë. Më tepër dua të komentoj problemin e trajnerëve. A ka pasur trajnerë profesionistë apo jo?

Dhe si mendoni, ka apo jo?

Për mua, ka pasur. Kanë pasur profesionalizëm dhe kanë qenë edhe të zotët. Unë i vlerësoj ata dhe ndaj mora shkak për këtë. Problemi është se ne kemi pasur konflikte midis njëri-tjetrit, ky është mendimi im.

Pse duhet të kishin konflikte, ju thatë se ishin profesionistë?

Raportet ndërmjet trajnerëve, kam mendimin që nuk kanë qenë në ekuilibër. Nga mentaliteti apo mendimi i individit, apo situatat…kjo mua nuk më ka pëlqyer, sepse jemi ndëshkuar që të gjithë. Duke u ndëshkuar që të gjithë, futbolli nuk mund të ecte përpara. Nga kjo kanë përfituar të tjerë, nëse mund ta them kështu, presidentët e klubit të komandojnë trajnerët. Ky është shkaku.

Si mund të ishte shmangur kjo pjesë që thoni ju?

Unë mendoj që aftësia e trajnerit, duke pasur një nivel kulture shumë të lartë, duke pasur dhe një vlerë morale, them se duhet të kishim mbështetur njëri-tjetrin. Pse e them këtë: sepse trajneri duhet të jetë i aftë në drejtim të komunikimit si me kolegët, edhe me grupin. Duhet të tregohet një njeri i sigurt në profesionin e tij dhe të ketë një empati ndaj kolegut. Dhe unë kam mendimin se gjatë këtyre 30 viteve kjo ka munguar. Duke munguar kjo empati, mendoj se kemi zbehur punën si trajner në përgjithësi. Personalisht kam mendimin se ka pasur trajnerë profesionistë, ka pasur vlera profesionale.

E përsërisni vazhdimisht, thoni “ka pasur…” Po sot, a ka Shqipëria trajnerë profesionistë sipas jush?

Sipas informacioneve që unë kam nga disa kolegë, por dhe sipas gazetave, kam mendimin që ka mungesë në këtë drejtim. Ka edhe trajnerë që kanë personalitet, por mendoj që më shumë ka mungesa. Pikërisht atë që thotë dhe Starova, pra që ka mungesa. Mbase mund të ndryshojë organizimi në drejtimin e kualifikimit dhe rritjes së vlerës së trajnerit. Në disa momente thonë që nuk ka dinjitet. Po kush e krijon këtë dinjitet, pyes unë? A e krijon vetë trajneri, a e krijon vetë shoqëria, a e krijon vetë klubi, mjedisi sportiv? Ne themi që të punojmë për të zbuluar talentin, kështu që patjetër sot trajneri duhet të ketë një kulturë shumë të gjerë, ekuilibër për situatat që ndodhin. Unë them që ka edhe mungesa në drejtim të trajnerit, sepse duke pasur mungesa, talenti nuk zbulohet. Ka shumë elementë…

Po pse ka shumë mungesa, ndërkohë që këtu ka një dyndje masive në shkollën e FSHF-së për t’u licencuar me diploma, me kurse, etj…?

Mendimi im është ky: E para, ky problem ekziston dhe në disa vende të tjera të Ballkanit apo dhe të Europës, por, megjithatë ka kritere për të marrë pjesë nëpër seminare. Unë për gati 16 vjet kam dhënë leksione në Federatën e Maqedonisë dhe kemi pasur kriter, sidomos në dhënien e liçensës “PRO”. Pra, duhej të plotësoje disa kritere të shkallës së lartë që të merrje këtë titull. Duke marrë shkak nga kriteret, vështirësia e marrjes së liçensës “PRO” ishte pak më e vështirë. Mirëpo, është e drejta e çdo individi, nuk e kundërshtoj këtë, por këtu hyn në lojë talenti. Pra, a do të jetë i talentuar ai trajner për të marrë këtë licencë? Sepse mund ta marrësh licencën, por sa vlerë do të ketë. Nga kjo mora shkas unë nga Starova, që të paktën mbase do të vendosen kritere më të forta, mbase do të bëhet edhe ndonjë seleksionim për trajnerët, d.m.th. do të kalojnë nëpër filtra, që të paktën të kenë vlerat e tyre. Sot ne e kërkojmë tek akademia lojtarin-talent, por fakt është se duhet të punohet shumë në drejtim të mentalitetit te lojtarët. Por, a do të ketë trajneri aftësinë për të zhvilluar te futbollisti atë, që ky i fundit të mendojë pozitivisht, sepse zhvillimi mendor zbulon energji për të besuar në aftësitë e tyre individuale si lojtarë. Këtu duhet t’ua japë trajneri, sepse nga ana mendore, për mua kanë qenë dy faktorë: ana psikologjike dhe zhvillimi mendor, si dhe ajo taktike. Ana mendore është fuqia. Imazhi mendor, nxjerr në pah forcën psikologjike të fshehur të çdo individi, të çdo futbollisti për të kthyer entuziazmin në fushë. Prandaj, këta trajnerë duhet të kenë një kulturë shumë të gjerë, duke pasur këtë dhe aftësi, atëherë do të kenë raporte më të pranueshme për të zbuluar talentin. Ne sot kemi mungesë në ekipin kombëtar lojtarin lider: mesfushor që është “truri” i skuadrës. Futbolli kërkon lojtarë të talentuar, kërkon lojtarë që kanë inteligjencë dhe improvizim.

Ju keni punuar edhe me moshat. Si ju duket Kombëtarja sot?

Për sa i përket trajnerit të ekipit kombëtar, ai erdhi me një emër nga Italia dhe këtë unë nuk mund ta mohoj. Por për mendimin tim, nuk solli ndonjë ndryshim të madh. Gjëja që mua më ka rënë në sy, që e kam ndjekur ekipin kombëtar si profesionist, nuk më pëlqen sistemi që ai ka vendosur.

Pse?

Me tre mbrojtës ne gjithmonë kemi pasur probleme. Unë kam mendimin që filozofia jonë brenda federatës, por dhe te trajnerët dikur, ka qenë që skuadra të jetë kompakte, një skuadër e rreshtuar me 4 mbrojtës, por një skuadër e vendosur në fushë në distancë të shkurtër, me idenë e një skuadre kompakte. Ky sistem me 3-5-2 që mund të kalojë edhe në 5-3-2, më duket një skuadër e gjatë. Një skuadër, që nuk mund të ketë fleksibilitetin e duhur gjatë momenteve të lojës. Dhe këtë ne, si futboll shqiptar, nuk e realizojmë dot. Jemi një skuadër e vogël dhe na nevojitet një skuadër e shkurtër, me pasime te mesme të shkurtra, dhe me një pas të gjatë për të gjetur hapësirat e duhura, por gjithmonë do të jemi më fleksibël, sepse ndoshta sot jemi fleksibël në pozicionet horizontale, por a jemi edhe fleksibël vertikalisht?! Dhe tjetra, akoma dhe më kryesore, ne sot na mungon ai lojtari lider i talentuar. Mungon lojtari inteligjent në mesfushë. Është ai lojtari që lexon dhe kap shpejt situatat e lojës, vepron shpejt duke u bazuar në fantazinë e tij. Por, ai bashkon edhe grupin. Interpretimi i tij bashkon skuadrën. Ka qenë vetëm Skela, kohët e fundit në mos gaboj…

EDMOND MIHA

Nedim Bajrami, që luan tek Empoli dhe po e kërkon Fiorentina… Asllani që firmosi me Interin… A mund të jenë ata liderët e mesfushës?

Unë jam për lojtarin interpretues. Mund ta sakrifikoj atë dhe ta vendos në pozicionin e duhur aty ku luan në skuadrën e tij. Problemi që ekziston sot në ekipin kombëtar, është se në disa pozicione nuk vendoset lojtari përkatës.

Për shembull?

P.sh., unë Hysajn ose do ta vija mbrojtës të djathtë ose ai nuk duhet të luajë fare si mbrojtës i majtë. Secili të marrë përgjegjësitë e veta. Pra, vendosja në fushë dhe bërja e lojës në drejtim racional do të të japë ato fryte që ti kërkon, por duke bërë një rokadë, duke bërë shumë ndryshime si në mesfushë, si në mbrojtje, si në sisteme, atëherë skuadra nuk do të marrë atë që meriton. Megjithatë, ky është mendim i imi, sepse secili trajner ka filozofinë e tij. Por për mua, me tre lojtarë në mbrojtje, nuk është e drejtë dhe prandaj nisem nga kjo.

Po fakti që prej 20 vjetësh tashmë Kombëtarja është “pronë” e trajnerëve të huaj… Çfarë shijeje lë kjo kur ia shuan ëndrrat një trajneri vendës, sado i zoti të jetë?

Unë e kam provuar në kurrizin tim. Jam plotësisht dakord që duhet të ekzistojë trajneri shqiptar për ta drejtuar ekipin kombëtar. Por, ka një fakt që është shumë i rëndësishëm, për mua: Trajnerin shqiptar do ta godasin që të gjithë. Trajnerit shqiptar do t’i bëjnë presion që të gjithë.

Është normale të ndodhë kështu. Edhe trajneri maqedonas që e çoi kombëtaren e tij në Europian, edhe ai kritikohet në vendin e tij. Dhe ju jeni kritikuar në kohën tuaj kur kishit Shpresat apo jo?

Është pak më agresive situata në Shqipëri, për të mos thënë edhe gjëra të tjera dhe futen shumë persona drejt trajnerit shqiptar. Ne akoma nuk e kemi fituar atë kulturë, atë pavarësi dhe atë ndjenjën e krenarisë që trajneri shqiptar duhet ta drejtojë skuadrën. Për mua nuk flitet për aftësitë profesionale, por flitet vetëm për respektin ndaj trajnerit. Ne vazhdojmë të kemi respekt ndaj trajnerit të huaj dhe po ju jap një rast në Maqedoni. Bëhet fjalë para 20 vjetësh. Kam qenë pretendent për të marrë Vardarin e Shkupit. Nuk e mora sepse isha shqiptar, për problemet politike që kishte vendi. Pretendent për të marrë Maqedoninë e Deutche Petrolit, sërish po ashtu. U hodh ideja për të marrë ekipin kombëtar të Maqedonisë, përsëri e njëjta gjë. Kurse te ne ndodh tjetra, ne e marrim trajnerin e huaj sepse e respektojmë atë, i japim vlera atij: morale, materiale, profesionale, këtë nuk e di. Por, kemi një ndjenjë inferioriteti ndaj tyre. Fakt është që, ne kemi trajnerë shqiptarë dinjitozë, në mënyrë profesionale të sigurt në punën e tyre, sepse siguria është normale që ta kesh, por janë elementë të tjerë që ia zbehin dhe ia ulin vlerat trajnerit tonë shqiptar. Kurse mentaliteti që është në Maqedoni ka qenë ndryshe.

Në ç’kuptim ndryshe?

Unë kam pasur konkurrentë 3-4 trajnerë që kanë pasur emër në futbollin e Maqedonisë, por dhe jashtë, pasi kanë marrë pjesë dhe në shumë vende të tjera, në Japoni, Bullgari, Serbi, Slloveni, Bosnje etj., etj., por i jepnin vlerat që i takonin. Prandaj unë përshëndeta idenë e Starovës që të ruajmë dhe të ndërtojmë elitën e trajnerëve, por ata duhen mbrojtur. Dhe kjo është shumë e rëndë, pasi i kam përjetuar vetë disa gjëra dhe kjo është e gjitha ajo. Nuk flitet më për aftësi profesionale, flitet vetëm për respekt ndaj trajnerit shqiptar. Po të dëgjosh në opinion thuhet: “S’kanë dinjitet”. Po pse nuk kanë dinjitet? Madje, këtë ma kanë thënë dhe dy personalitete me të cilët kam pasur rastin të flas. Po pse, kush ia uli këtë dinjitet trajnerit shqiptar? Ia ulëm ne vetë? Ia uli mjedisi? Ia ulën presidentët që i ndërrojnë trajnerët si çorape? Unë jam i mendimit që, jemi ne fajtorë në radhë të parë, ne trajnerët, që nuk mbështesim njëri-tjetrin.

Sa vite keni punuar në Maqedoni?

Shumë. Kam drejtuar 5 herë Shkëndijën e Tetovës, kam drejtuar Shkëndijën e Araçinit, Bashkimin e Kumanovës etj., etj. Në 16 vjet kam dhënë leksione në Federatën e Maqedonisë, lektor në licencimin e trajnerëve të Maqedonisë. Sot Bllagoja Milevski që është trajner i ekipit kombëtar ka qenë dikur “nxënës” imi. Kam botuar dy libra trajningu edhe në gjuhën shqipe në Maqedoni, madje kopja e parë është ribotuar tri herë… dhe asnjëlloj vlere për trajnerin shqiptar.

Po në Federatën Shqiptare, sa herë keni dhënë leksione për trajnerët shqiptarë?

Asnjëherë. Dhe meqë ma bëre këtë pyetje, kam bërë një kërkesë në momentin kur jepja leksione në Maqedoni. U thashë që dëshiroj të vij me kolegun tim, drejtor i ekipit kombëtar, por dhe shef i kabinetit të Federatës së Maqedonisë, plus që jep leksione edhe në Slloveni dhe në Bosnjë. U thashë se duam të vijmë e të japim një leksion të dy bashkë në federatë, meqë unë jam futur në stafin e Federatës së Maqedonisë. “Jo, je i një grupi tjetër, je i një partie tjetër, je i një forme tjetër…” Kjo ishte përgjigjja.

Kur ka ndodhur kjo?

Unë kam gati 10 vjet që jam në Austri, por ndoshta para 10-12 vjetësh ka ndodhur, nuk më kujtohet saktë viti. Por, në atë kohë unë jepja leksione në Maqedoni dhe kam dhënë dhe tri herë leksione në Bosnjë-Hercegovinë së bashku me kolegun që përmenda. Mirëpo, që këtu fillon lidhja reciproke midis kolegëve maqedonas, bullgarë, serbë, boshnjakë apo dhe të tjerë. Që këtu fillon dhe prishet imazhi i personalitetit të trajnerit. Sado vlera të kesh, sado i aftë të jesh, sado interpretues dhe krijues të jesh në futbollin e sotëm, sado bagazh të kesh, atë mbështetjen që kërkon nuk ta japin. Kjo është e gjitha.

Mund t’ju pyesim për nivelin e futbollit shqiptar, ka përparuar apo jo që nga koha kur ju e keni lënë atë?

Unë tani dua të vlerësoj akademinë. Për mua, në qoftë se nuk punohet dhe nuk krijohen akademi në mënyrë profesionale, futbolli kështu do të vazhdojë.

Si është sot futbolli ynë?

Unë them që akoma nuk është krijuar baza. Nëse ti nuk ke krijuar një elitë trajnerësh për skuadrat e para, nëse nuk ke krijuar një elitë trajnerësh për akademitë për të prodhuar talentin, për ta zbuluar që nesërpasnesër të marrë frytet dhe ekipi kombëtar, atëherë çfarë do të kërkojmë ne?! Në librin e fundit që kam shkruar në vitin 2004 unë jam shprehur: “Të menduarit shpejt në futbollin modern. Këtë duhet ta japë trajneri”. D.m.th., të japë motivimin. Por, që ta japë këtë motivim dhe argumenti,lojtari duhet të vijë me një nivel të lartë profesionalizmi. Unë nisem nga akademia: pse nuk del një talent? Janë gjithë ato akademi në Shqipëri. Sot p.sh., Tirana shiti 3-4 lojtarë dhe ka një vlerë, pavarësisht se u eliminua në Europë. Por, ndërtimi i një akademie, ndërtimi i dy-tri fushave në çdo akademi të klubit siç është Partizani, Tirana apo Dinamo, Vllaznia, Teuta etj, është thelbësore. Patjetër, duhet të ndërtohet akademia që të krijohen ekipet zinxhir ashtu si duhet, të dalë talenti ashtu si duhet.

Po ne i kemi pasur këto akademi. Kemi pasur akademinë e Vlorës, të Tiranës, të Korçës, të Lezhës, të Shkodrës…

Unë drejtpërdrejt në seanca stërvitore mund të kem qenë shumë pak dhe kam mbetur i zhgënjyer në drejtimin e procesit stërvitor.

Pse?

Sepse për mua duhet që trajneri i akademisë të jetë dhe pak i talentuar për të bërë një seleksionim të saktë, dhe për të punuar aty ku duhet për elementin e ri. Sot ne them: “Të mendojmë shpejt në futbollin modern”. Kur lojtarët luajnë shpejt me topin, sjellin kënaqësi në fushë. Ata sjellin fleksibilitet në koordinimet e tyre, por këto kërkojnë veprime të shpejta, duke vepruar shpejt në grupe, dhe këtë duhet ta japë trajneri mbi bazën e lojërave, mbi bazën e procesit stërvitor. Nuk nisemi ne vetëm vrapim, vrapim, vrapim, kur ne nuk luajmë me topin. Të luash futboll është kënaqësi, por për ta mësuar këtë është obligim. Kështu që, unë kam mendimin që proceset stërvitore duhet të jenë të kohës, moderne. Futbolli ecën, futbolli do të krijosh sa më tepër lojëra zbavitëse. Për këtë gjë flasim shumë dhe me kolegët kur takohemi. Në seminaret që jepnim në Maqedoni kishim teori dhe praktikë. Ai Bllagoja Milevski që sot është trajner i ekipit kombëtar të Maqedonisë, erdhi dhe e mori me shpejtësi librin tim, por një trajner tjetër, koleg yni, që ka emër thotë: “E mo mooooo ç’e dua… Pra, këto janë gjërat që ne nuk vlerësojmë njëri-tjetrin. Këtu kanë një aftësi që i zgjasin dorën dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin.

JETMIR HALILAJ – Arena e Lajmit


EKSKLUZIVE/ “Duhet punë me akademitë, ndryshe nuk bëjmë përpara”, Edmond Miha: Respekt për karrierën e Rejës, por… (E PLOTË)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook