EKSKLUZIVE/ Flamurtari ka gati 1.5 milionë euro për Superioren, ja si do të shpenzohet buxheti

Flamurtari, buxhet milionerësh edhe në Kategorinë e Parë. Administratori Sinan Idrizi ka vendosur që të mos kursehet për sezonin e ri, me qëllim arritjen e objektivit, ngjitjen në Superiore. 18 ditë nga nisja kampionatit, burime pranë kuqezinjve, bënë me dije për “Panorama Sport”, se zyra e financës në klub po i jep fund detajimit të buxhetit për sezonin futbollistik 2022-2023. Ekipi i futbollit do të ketë në dispozicion 1.5 milionë euro, por nëse do të jetë e nevojshme kjo shumë do të kapërcehet.

FLAMURTARI

Normalisht që këtu hyjnë kontratat dhe pagat e lojtarëve, bonuset, trajtimi ushqimor, akomodimi i lojtarëve jashtë Vlorës, në shtëpi dhe hotele, por edhe udhëtimet për ndeshjet e kampionatit, si dhe akomodimi në hotele kur luajnë në transfertë. Burime bëjnë me dije se ditët e fundit ka pasur edhe një mbledhje të bordit drejtues të klubit ku është diskutuar gjerësisht deri në detaje buxheti i këtij viti. Në unanimitet, bordi ka miratuar buxhetin, ndërsa financimi do të jetë tërësisht i kompanive turke. As këtë vit, për të tetin radhazi, Flamurtari nuk do të ketë asnjë lek nga buxheti i Bashkisë së Vlorës. Kujtojmë këtu që, qysh sezonin e shkuar, në Vlorë nuk kanë pasur probleme me pagesat, drejtuesit kanë qenë korrektë ndaj lojtarëve dhe stafit. I vetmi problem aktual, mbeten llogaritë e bllokuara bankare për shkak të borxheve të prapambetura. Por, lojtarët paguhen nëpërmjet llogarive të tjera bankare të kompanive turke.

 

PAGAT DHE KLAUZOLAT

Të “majme” dhe jo si për Kategori të Parë, do të jenë pagat e lojtarëve sezonin që vjen. Ato do të variojnë nga 1 mijë euro deri në 3 mijë e 500 euro. Normalisht që mes lojtarëve ka diferencime dhe pagesat do të variojnë në bazë të peshës që futbollistët do të kenë në formacion dhe në bazë të minutave në fushën e lojës. Natyrshëm do të ketë edhe premio për fitore, për të stimuluar skuadrën. Por se sa do të jetë këtë sezon, mbetet për t’u mësuar, pasi drejtuesit ende nuk e zbardhin këtë gjë, sepse do t’ia lënë nisjes së kampionatit. Në Vlorë janë të bindur se do ta arrijnë objektivin që kanë, ngjitjen e Flamurtarit në elitë. Nëse kjo nuk do të arrihet, atëherë do të ketë masa ndëshkuese për futbollistët dhe stafin teknik. Gjasat janë që ata të ndëshkohen me mbajtjen e 30% të kontratës në rast të dështimit të objektivit. Por, masës financiare do t’i paraprijnë shkarkimet, ku të parët dhe më të rrezikuarit janë trajneri Dritan Resuli dhe drejtori i klubit, Ardi Ciruna, të cilët kanë peshën kryesore të merkatos. Nuk përjashtohet as prishja e kontratës për futbollistë të veçantë. Këto të gjitha janë klauzola të vendosura në kontratat e këtij sezoni.

FLAMURTARI

BUXHETI B

Edhe për sezonin e ri Flamurtari do të ketë një buxhet B. Ai quhet buxheti i investimeve. Edhe sezonin e shkuar u parashikua, por nuk u përdor. Gjithçka lidhet me investimet që klubi do të zhvillojë në infrastrukturën sportive, në zbatim të projektit “Vlora Sport”. Parashikohet që investimi të nisë brenda këtij viti, ndoshta në muajt shtator-tetor. Prioritet do të jetë ndërtimi i tribunave dhe dhomave të zhveshjes, ndërsa investime do të ketë edhe në ndërtimin e terreneve sportive të reja. Për projektin “Vlora Sport”, kompanitë turke që investojnë, kanë kontraktuar disa studio të njohura europiane, ndërsa e gjithë baza materiale do të mbërrijë nga Turqia.

-Arena e Lajmit


EKSKLUZIVE/ Flamurtari ka gati 1.5 milionë euro për Superioren, ja si do të shpenzohet buxheti

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook