Një mbrojtës, ka qenë përgjigjja e prerë e Simone Inzagit mbi atë që i mungon Interit. Nevoja për të plotësuar prapavijën ka bërë që drejtuesit zikaltër të fokusohen në këtë drejtim në merkato duke shqyrtuar një sërë alternativash për të cilat ka pasur madje edhe ide të ndryshme mes kryesisë dhe trajnerit. Një mendim për këtë situatë e ka dhënë edhe ish-sulmuesi zikaltër, Kristian Vieri, që mendon se gabimi i klubit ka qenë Gleison Bremeri, me të cilin duhet të kishin firmosur.
AKANZHI – I pari në listë është padyshim Manuel Akanzhi, që është favoriti i Marotës dhe Auxilios.
27-vjeçari i Borusia Dortmundit është një profil interesant si për eksperiencën e akumuluar deri në këtë pikë të karrierës së tij, por edhe për moshën e re që e bën një investim të rëndësishëm për të ardhmen.
Kontrata e zviceranit skadon në qershor dhe po negociohet një rinovim me gjermanët, gjithmonë nëse ata do ta lejojnë të transferohet në Itali si huazim me të drejtë blerjeje.
Por Dortmundi kërkon të përfshijë detyrimin e blerjes për 20 milionë euro në transferimin e tij, një opsion që nga Interi nuk shikohet me sy të mirë.
Zikaltrit janë gati të paguajnë 10 milionë euro nëse do t’u duhet të blejnë përfundimisht kartonin e Akanzhit duke lënë një hendek të konsiderueshëm mes kërkesës dhe ofertës, edhe pse ka optimizëm që mund të mbyllet për 15 milionë euro.
AÇERBI – Ndërsa drejtuesi ecin në drejtim të Akanzhit, Inzagi të preferuar ka ish-lojtarin e tij te Lacio.
Italianin, për të cilin u përfol se mund të zgjidhte kontratën, Klaudio Lotito, nuk ka në plan ta lërë të shkojë falas dhe po kërkon 5 milionë euro, një shifër shumë herë më e ulët se ajo e Akanzhit, por që me 34 vitet e Açerbit është një operacion që nuk ofron siguri.
TANGANGA – Në skenë ka dalë edhe emri i mbrojtësit të Totenhemit, Zhafet Tanganga, që më parë ka qenë objektiv i Milanit. Klubi anglez është gati ta lërë të shkojë 23- vjeçarin edhe në huazim. Por gjithmonë nëse do të përfshihet detyrimi i blerjes në kontratë.
VIERI – “Problemi i Interit për një mbrojtës mund të ishte zgjidhur nëse nuk do të kishin lënë t’u shpëtonte Gleison Bremer”.
Këtë të paktën mendon Vieri që në vazhdim është shprehur: “Bremeri ishte mbrojtësi më i mirë që qarkullonte në merkato në Europë dhe shoqëria zikaltër duhet të kishte shitur Shkriniarin duke e falënderuar për gjithë kontributin, për të marrë brazilianin që është më i ri dhe më i fortë fizikisht. Është nga ata që ia mbledh çdo sulmuesi sado i fortë të jetë. U vonuan dhe pastaj ai shkoi te Juvja”.
Pavarësisht kësaj, italiani mendon se Interi është akoma skuadra më e fortë në Itali. “Interi është më i forti, ka 4 sulmues fantastikë dhe edhe pse ka humbur Perisiçin, ka marrë më të mirin e mundshëm për ta zëvendësuar”, përfundoi Vieri.
Arena e Lajmit