Interi e ka nisur me një fitore sezonin e ri të Serisë A, por 90 minutat nuk i kanë mjaftuar për të mbërritur te tri pikët kundër Leçes, për të cilat iu desh të priste golin e Dumfrisit në të 94’-ën, me shifrat deri atëherë të fiksuara në 1-1. Por ndërsa sezoni i ri i zikaltërve nisi mes drithërimash, dozën më të shtuar të ndjesive, siç është parë nga kamerat, e ka përjetuar Simone Inzagi, që nga stoli nuk është kursyer aspak me reagimet.
Tensioni i golit që nuk po vinte pavarësisht rasteve të shumta të krijuara në 20 minutat e fundit dhe aktivizimit të tre sulmuesve njëkohësisht e më pas katër të tillëve, është reflektuar te shpërthimi që pati trajneri gjatë festimit të golit me skuadrën e tij.
Por në fakt kjo nuk është një ndjenjë e re për Inzagin që në karrierën e tij ka siguruar shumë herë fitore pas minutës së 90-të, duke u bërë madje edhe trajneri me më shumë fitore në këtë interval kohor në Itali, që nga koha kur ai ka nisur të stërvisë në Serinë A, pra që nga sezoni 2015-2016 kur e ka nisur në krye të Lacios.
PRECEDENTËT – Asnjë nuk ka përjetuar drithërima si të Inzagit që ka fituar plot 10 ndeshje në këto 7 sezonet e fundit, pas minutës së 90-të. Edhe pse Interi i ka zgjidhur shumë herë ndeshjet në minutat finale, kryesisht në 15 minutat e fundit, në sezonin e kaluar vetëm një herë zikaltrit kanë festuar për fitoren në shtesë. Bëhet fjalë për ndeshjen Inter-Venecia të përfunduar 2-1 falë golit të Xhekos në minutën e 91-të.
Por sezonin e dytë në krye e ka nisur përsëri me një fitore të tillë ditën e shtunë, duke u dhënë vazhdimësi këtyre rezultateve që me Lacion ishin shndërruar në ritual.
3 fitore të tilla të bardhekaltërve në sezonin 2020-2021, po aq sa në atë 2019-2020, ndërkohë që ka regjistruar nga 1 fitore “in extremis” për secilin prej dy sezoneve paraardhëse.
Por ndërsa trajneri e ka zemrën e fortë dhe është mësuar me këtë lloj emocionesh, tifozët zikaltër shpresojnë që fitorja e ardhur ndaj Leçes të jetë e para dhe e fundit e tillë gjatë këtij sezoni, pasi për të shkuar te titulli e dinë se nuk duhet t’ia lënë në dorë fatit të minutave shtesë.
Përgatiti: NISLI GJINI – Arena e Lajmit