Sulmuesi brazilian, Patrik Robson Da Souza, është shfaqur në seancën e djeshme stërvitore te Tirana duke u stërvitur me pjesën tjetër të grupit. 24-vjeçari ka qenë i veshur me uniformat e klubit, duke konfirmuar kështu transferimin te bardheblutë me zyrtarizimin që duket se do të jetë çështje orësh. Da Souza starton kështu një aventurë të re në Superiore me Orges Shehin, që do të ketë në organikën e skuadrës një tjetër sulmues në dispozicion. Me lojtarin ka qenë edhe menaxheri i tij.
DEKLARATA – Për “Panorama Sport” lojtari që ende nuk ka firmosur me Tiranën thotë përshtypjet e para për aventurën në Shqipëri. “Tirana është një ekip i madh në Shqipëri. Normalisht që në Europë Tiranën e shohin me vlerësim dhe për këtë erdha këtu. Që ditën e parë që erdha në Shqipëri, u kënaqa. Më kanë pritur shumë mirë. Kam folur edhe me trajnerin. Ekipi më pëlqeu. Kam shumë besim te vetja ime dhe jam i bindur që do ta ndihmoj skuadrën në objektivat e saj. Shpresoj që të vazhdojmë dhe të shpallemi sërish kampionë. Do të punojmë shumë që ta mbajmë këtë ritëm. Qëllimi im është që ta ndihmoj ekipin me sa më shumë gola. Numër nuk kam, por premtoj që do të jap maksimumin për këtë sezon”, mbylli Patrik Robson da Souza.
KARRIERA – Skuadrat ku ka luajtur Patrik janë disa: Admira Vaker, FK Kabala, SV Horn, Friburguense-RJ, Bonsucesso FC, América-RJ. Sezonin e fundit ai ka qenë te Kabala. Sulmuesi ka qenë 802 minuta mes kampionatit austriak dhe atij azerbajxhanas. 21 ndeshje, një gol dhe një asist ka koleksionuar këtë sezon braziliani Patrik. 300 mijë euro është vlera e kartonit të sulmuesit. Braziliani është vetëm 24 vjeç dhe luan në disa pozicione në repartin e avancuar.
MERKATO – Skuadra ka kohë që kërkon të plotësohet, sepse i ka ikur gjysma e formacionit kampion. Dihet që Tiranës i janë larguar lojtarë me peshë, Erjon Hoxhallari, Majkëll Ngo, Devid de Silva dhe Ardit Toli, si dhe të tjerë që nuk kishin hapësira. Plus këtu, edhe Enur Totre që iku pas Europës. Këtë verë janë afruar Kallaku, Huseini, Aleksi, Hasani, Iseni dhe Hila, ndërsa vetëm ish-lojtari i Teutës ka luajtur titullar.
OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit