Robert Levandovski dhe Sadio Mane kanë qëndruar së bashku për pak ditë te Bajerni i Mynihut. E megjithatë, mes tyre mirëkuptimi ka qenë i plotë. Gjatë një interviste të dhënë për “Sport1”, sulmuesi polak i Barcelonës ka rrëfyer për një bisedë të fundit mes tij dhe senegalezit, Sadio Mane, para se të largohej nga Mynihu për t’iu bashkuar Barcelonës.
Kampioni i Afrikës me Senegalin iu bashkua Bajernit nga Liverpuli për shumën e 32 milionë eurove, teksa Levandovski la kampionët e Gjermanisë për të shkuar te Barcelona për 50 milionë euro mes pagesës fikse dhe bonuseve.
Që në ditën e parë të kthimit të Levës nga pushimet dhe shfaqjes së tij në qendrën stërvitore të Bajernit në “Sebener Shtrase”, ajo që ra në sy ishte një bisedë mes tij dhe Manesë në ballkonin e një prej ambienteve të klubit. Të gjithë natyrisht u bënë kuriozë rreth temës së bisedës.
Çfarë diskutuan? A i tha Leva se do të largohej? A u mundua Mane ta bindë polakun të qëndrojë? Këto pyetje, e të tjera më shumë, kanë shoqëruar bisedën e tyre për kaq ditë, derisa polaku ka sqaruar gjithçka.
“Kemi folur gjatë dhe ai (Mane) ma bëri të qartë se më mirëkuptonte në vendimin tim për t’u larguar – ka thënë Levandovski në podkastin ‘Maine Bayern Woche (Java ime e Bajernit)’ në ‘Sport1’ – Ai ishte pak a shumë në të njëjtat pozita si dhe unë. Ia bëra të qartë se vitet kalojnë dhe se duhet të mendoja më shumë për familjen. Ai u ndie i keqardhur, por natyrisht mirëkuptues me mua. Edhe ai vetë la Liverpulin për një sfidë të re”.
Ndërkaq, për “Bild”, Levandovski ka deklaruar se edhe pa të në fushë, Bajerni do të jetë po aq i fortë dhe po aq konkurrues.
“Nuk kam asnjë mëdyshje se dhe pa mua, Bajerni do të jetë një skuadër shkëlqyer. Jam i bindur se Mane e Gnabri do të shënojnë shumë gola dhe do të kompensojnë largimin tim”, ka thënë Levandovski.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – Arena e Lajmit