“Ishim në gjumin e drekës”, Shehi i jep lamtumirën Seferit pas barazimit me Kukësin: Ku ta gjejmë të transferojmë lojtarë

Orges Shehi ishte përgjysmë i kënaqur me barazimin e sotëm ndaj Kukësit. Nga njëra anë, trajneri i Tiranës pretendonte se ekipi meritonte më shumë me atë që dha në fushën e lojës. Ndërsa nga ana tjetër, në fjalët e tij për ”Oversport”, ai theksoi se ekipi kishte pësuar një gol që duhej evituar. Ndërkaq, ai praktikisht i dha lamtumirën Taulant Seferit, duke bërë të qartë se skuadrat shqiptare duhej të insistonin për të shitur lojtarë.

ORGES SHEHI

“Meritonim pak më shumë se mendoj se bëmë më mirë. U shfaqëm më shpesh te porta kundërshtare, u shfaqëm edhe pastër. Por na penalizoi një gol shumë i shpejtë, që në minutat e para. Ishim në gjumin e drekës akoma. Pësuam një gol që nuk na falet.

Behiratçe po vuante topin pas shpine, po vuante qarkullimin e topit, nuk po ndërronim krahun e lojës, nuk shkoi kurrë në dyfishim dhe e ndërruam. Vura një lojtar me këmbën e majtë, siç është Iseni që ka ardhur vonë e i duhet përshtatje.

Taulanti dihet që është lojtari ynë kryesor dhe deri më 31 gusht, nuk jemi të qetë nëse do ikë apo do të rrijë. Duhet falënderuar se ka qenë një periudhë prej 15 ditësh pa stërvitje, bisedova me të dje dhe ai kishte dëshirë të ndihmonte skuadrën.

Kur kundërshtari mbetet me 10, sigurisht që mbyllet mbrapa. Ne kërkonim që mbrojtësit të dilnin lart, edhe pse disa herë nuk morën vendimet e duhura. Nuk është se kemi kontingjent, të paktën për sulmin, vetëm Gjumsin kishim që futëm në fushë. Mendoj se nuk duhet të rrezikonim me qendërmbrojtësit në fund, se qendra duhet të jetë gjithmonë e sigurt, se ndoshta kur mundohesh të fitosh në fund, mund të ndëshkohesh.

Veto për Seferin? Ju e dini shumë mirë si është futbolli modern. Ne jemi klube që ku të gjejmë të transferojmë lojtarë. Sa jam këtu, Tirana vazhdon e transferon lojtarët. Ka lojtarë që kërkohen jashtë, mua më prish punë shumë se është lojtari kryesor edhe sa i përket grupit. Por trajneri nuk mund të këmbëngulë patjetër, se e dini shumë mirë se sa mirë është të transferohen jashtë.

Tirana sot u shfaq mirë, kemi ndryshuar edhe koncept loje, nuk është e lehtë. Kishim 4-5 lojtarë të rinj në formacion që kanë ardhur së fundmi dhe duhet kohë, na jep shpresë. Jam i kënaqur se dolëm shpesh para portës. por çdo gjë do kohën e vet, që të përmirësojmë disa gjëra. Do të përmirësojmë manovrën sulmuese.

Ne kemi ndryshuar shumë me 5 të rinj në formacion që duan përshtatje, Vuajmë pak në qendër të mbrojtjes se Hoxhallari na ka lënë goxha boshllëk e nuk jemi ku duhet se duam të ndërtojmë lojën nga poshtë. Do të mundohemi të përmirësohemi, shpresojmë që gjërat e mira t’i përmirësojmë e minimizojmë gabimet si mos përqendrimi e komunikimi, se e filluam 1-0 për kundërshtarin në stadiumin e tyre, aq më tepër që është një kundërshtar direkt”, tha Shehi.

Arena e Lajmit


“Ishim në gjumin e drekës”, Shehi i jep lamtumirën Seferit pas barazimit me Kukësin: Ku ta gjejmë të transferojmë lojtarë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook