Një aksident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në kryeqytet. Bëhet me dije se makina e policisë dhe një automjet tip “BMW” janë përplasur. Mësohet se janë dëmtuar dy polic të patrullës, shoferi dhe një pasagjer i mjetit tjetër, jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu theksohet se asnjë nga shoferët nuk rezulton të ketë qenë në efektin e alkoolit.
Ngjarja ka ndodhur te kryqëzimi mes rrugës “Vasil Shanto” dhe “21 dhjetori” në Tiranë. Sakaq po hetohet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
NJOFTIMI:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 05:15, te ura e “Vasil Shantos”, janë përplasur dy automjete, konkretisht automjeti tip “Skoda” i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 2 me drejtues Inspektor B. M., 31 vjeç, dhe automjeti tip “BMW” me drejtues shtetasin N. B., 36 vjeç.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dy drejtuesit e automjeteve, si dhe pasagjerët, shtetasi G. N., 38 vjeç, që ndodhej në automjetin tip “BMW” dhe punonjësi i Patrullës së Përgjithshme Inspektor J. B., 22 vjeç, që ndodhej në automjetin tip “Skoda”.
Të dëmtuarit ndodhen në spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Të dy drejtuesve të mjeteve, iu është bërë testi i alkoolit, dhe ka rezultuar që asnjëri prej tyre, nuk kishte konsumuar pije alkoolike.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Arena e Lajmit