“E bënë në brekë para Realit”, legjendat gozhdojnë Sitin e Guardiolës

Komentet në lidhje me eliminimin e Mançester Sitit në Ligën e Kampioneve nga Reali të mërkurën në mbrëmje kanë qenë të shumta. Mediat anembanë botës i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë sfidës në Madrid.

Guardiola5

Opinionet kanë qenë të larmishme dhe të të gjitha ngjyrave. Por një gjë i bashkon opinionistët: eliminimi i Sitit ishte përgjegjësi e Pep Guaridolës. Aq më shumë që në rolin e opinionistit nuk janë persona të çfarëdoshëm, por emra të mëdhenj që Ligën e Kampioneve e kanë në listën e trofeve të fituar.

Dikush e akuzon për gabimet në zëvendësime, dikush për faktin se Pep nuk bën zëvendësime sa duhet, një tjetër për mendjemadhësi. Ka nga ata që e etiketojnë katalanasin një frikacak, por ka dhe nga ata që mendojnë se faji për eliminimin e Sitit i mbetet fatit.

EVRA – Ish-mbrojtësi i Mançester Junajtidit dhe kombëtares franceze, Patris Evra, ka qenë një nga më të ashprit në adresë të Pep Guardiolës pas eliminimit të Sitit nga Liga e Kampioneve. Ai nuk i ka kursyer asgjë trajnerit katalanas, duke e cilësuar asgjë më shumë se një frikacak.

“Unë kam shumë respekt për Pep Guardiolën, por e ndiej veten me fat që nuk e kam pasur asnjëherë trajner. Ai është një nga ata trajnerë që të heq çdo përgjegjësi. Po flisja me Sedorfin dhe kur sheh skuadrat e Guardiolës duket sikur je duke luajtur një futboll virtual, në ‘Play Station’. Ai të thotë gjithçka që duhet të bësh, i kthen lojtarët në robotë. Duket sikur në mendjen e tij janë 20 vetë që i flasin njëkohësisht. Ndaj Realit Siti e bëri në brekë, kjo është e gjitha”, ka thënë ishmbrojtësi i “Djajve të Kuq”.

HAMAN – Një tjetër emër i rëndësishëm si Diter Haman ka kritikuar Pep Guardiolën. Ish-mesfushori gjerman i Liverpulit ia ka veshur përgjegjësinë teknikut katalanas për eliminimin në Champions. Duke folur për “Football Daily” ai ka thënë: “Është për të ardhur keq. Ata i dominuan të dyja takimet, por pësuan 5 gola, atëherë kur Reali dukej i mbaruar. Unë mendoj se kjo është një çështje trajneri. Ndeshjet nuk fitohen në dërrasën e zezë. Kur skuadrat zbresin në fushë, janë lojtarët që marrin vendime dhe nuk është hera e parë që skuadrat e tij marrin vendime të gabuara në momentin e gabuar. Pep i shtrydh skuadrat e tij”.

DEL PIERO – Ish-juventini, Alesandro del Piero, gjithashtu nuk e ka kursyer Pep Guardiolën dhe zëvendësimet e kryera prej tij. “Diferenca mes dy trajnerëve, Ançeloti dhe Guardiola, është te zëvendësimet. Me lëvizjet e bëra në skuadër Ançeloti ndryshoi ndeshjen, ndërsa Guardiola ka gabuar me zëvendësimet. Natyrisht që edhe fati bën të vetën, por diferencën mendoj se e bënë lëvizjet e trajnerëve”, ka komentuar Del Piero.

KARRAGER – Xhimi Karrager ka qenë i drejtpërdrejtë. Ish-mbrojtësi i Liverpulit i ka kërkuar ndjesë Realit, që nuk e ka llogaritur si finalist. Por ai e sheh ishskuadrën e tij kampione të ardhshme të Europës. “Nuk i kam dhënë asnjë shans Realit ndaj PSG-së, por ata janë në finale. Gjithsesi, jam i bindur se kampion shpallet Liverpuli”, ka thënë Karrager.

SHMAJKEL – Ndërkaq, Peter Shmajkel ka theksuar se ajo çfarë ndodhi të mërkurën në mbrëmje në Madrid ishte e pabesueshme. “Mendoj se Reali ishte skuadra më e dobët në të dyja përballjet kundër Sitit dhe nuk e meriton finalen. Por futbolli ndaj është i tillë, i paparashikueshëm”, ka thënë danezi.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLL – Arena e Lajmit

 


“E bënë në brekë para Realit”, legjendat gozhdojnë Sitin e Guardiolës

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook