Kukësi në Shkodër, ose treni i fundit për Ligën e Konferencës

Humbja e fundit ndaj Partizanit në njëfarë mënyre i vuri “vulën” edhe krizës së Kukësit, i cili tani më shumë se kurrë po e sheh veten jashtë Europës.

vllaznia-kukesi

Vetëm katër pikë nga 21 të mundshme në shtatë ndeshjet e fundit kanë bërë që klubi të rrëshqasë shumë në renditje dhe tani çdo gjë vështirësohet. Situata në kampin verilindor nuk është aspak e qetë, por për fat të mirë kanë ende mundësi për të shpëtuar sezonin, sepse në lojë janë edhe 12 pikë dhe nëse merren të gjitha mund të shkojnë sërish te vendi i tretë.

VLLAZNIA – Në situatën ku ndodhet Kukësi, ndeshja me Vllazninë shihet si shansi i fundit për Europën, ku në rast të një tjetër humbjeje apo barazimi, praktikisht dalin jashtë objektivave. Në një situatë të tillë, klubi po përpiqet të lërë mënjanë gjithçka që ka ndodhur deri më tani dhe të fokusohen maksimalisht te kjo përballje jetike, e cila vlen sezonin dhe… milionat. Sepse, mos pjesëmarrja në Europë për të dytin vit radhazi sjell edhe një dëm ekonomik jo të paktë për klubin, i cili shpenzimet i ka pasur të mëdha dhe thuajse nuk ka arkëtuar asgjë, përveç shitjes së Patrik Ezesë për 150 mijë dollarë sezonin e kaluar.

Në një situatë të tillë, presioni sa vjen e rritet dhe në Kukës duan të arrijnë qetësinë në mënyrë që në 90 minutat e sezonit të arrijnë të rikthehen ajo skuadra e para janarit. Si të mos mjaftonin problemet psikologjike, Longo do të duhet të bëjë llogaritë pa dy prej titullarëve të tij, të cilët u ndëshkuan me kartonë në sfidën me Partizanin. Bëhet fjalë për spanjollin Pablo de Lukas, një lojtar kyç për skemat e italianit dhe mbrojtësin Edison Ndreca.

VENDI I 6-TË – Me ritmin që po ecën skuadra verilindore mund të arrijë as më shumë dhe as më pak vendin e gjashtë, pozicion që patën edhe sezonin e kaluar, që ishte më i dështuari në historinë “Superiore” të Kukësit. Aktualisht skuadra është vetëm tri pikë larg Kastriotit që mban këtë pozicion dhe gjashtë nga Teuta e vendit të shtatë. Megjithatë, në një situatë të tillë ka rëndësi vetëm pjesëmarrja ose jo në Europë, pavarësisht pozicionit që do të zërë në fundin e kampionatit.

VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit


Kukësi në Shkodër, ose treni i fundit për Ligën e Konferencës

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook