Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç reagoi me zemërim ndaj emërimit të kryetarit të Partisë Demokratike Progresive me seli në Graçanicë, Nenad Rashiç, në postin e ministrit për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës.
“Jo vetëm që i kanë shkelur të gjitha normat e marrëveshjes së Brukselit, por edhe të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare dhe nuk e kanë dert sepse kjo është në interesin e një fuqie evropiane”, u medieve në Beograd presidenti serb, duke theksuar se zoti Rashiç nuk e ka besimin e askujt në Kosovë, “por e ka besimin e (kryeministrit) Albin Kurti dhe perëndimit dhe mendojnë se kësisoj mund të frikësojnë serbët”.
Ai përsëriti se Kosova është “shenjtëria më e madhe serbe”.
“Më mirë të mos jem sesa t’ua dorëzojë në duar. Dhe nuk do t’ua dorëzojë. Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë me 6 dhjetor”, tha ai, duke shprehur zemërimin me siç tha “reagimin e butë të Bashkimit Evropian” ndaj emërimit të zotit Rashiç.
Ndërkohë nuk ka munguar as kritika për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi në një mesazh jo të drejtpërdrejtë drejtuar Kurtit ai shtoi: “Dhe llumit terrorist i them; “Sigurohuni që të mos lëndoni asnjë serb, ju dhe kuislingët që keni zgjedhur. Sepse serbët do të dinë si të përgjigjen.”
Ai iu referua një deklarate të zëdhënësit të BE-së për mediat serbe i cili citohet të ketë thënë se “është me rëndësi thelbësore që emërimet e ministrave të bëhen në pajtim më Kushtetutën e Kosovës. Në rastin konkret i bëjmë thirrje Kosovës të sigurohet që janë përmbushur të gjithë hapat procedural për emërimin e ministrit që përfaqëson bashkësitë jo shumicë”.
Emërimi i ministrit Rashiç u bë më pak se një muaj pas dorëheqjes se ish ministrit Goran Rakiç nga radhët e Listës Serbe.
Më 23 nëntor Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje lidhur me përdorimin e targave të makinave që çoi në uljen e tensioneve në veriun e Kosovës por jo edhe kthimin e punonjësve serb në institucione.
Kryeministri Albin Kurti tha të mërkurën se largimi i serbëve nga institucionet ishte vendim politik dhe se kthimi i tyre duhet të bëhet në rrugë ligjore./VOA