Shefi i Krimeve në Policinë e Lezhës Leonard Palushi është arrestuar dje gjatë operacionit të SPAK ku u goditën emra të njohur të botës së krimit me akuzën për “Shpërdorim detyre”. Sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga gazetarja Klodiana Lala dhe të zbardhur nga “BalkanWeb” rezulton se Palushi dhe Erion Alibej orientuan hetimet në drejtim të gabuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit.
Në dosje është dhe dëshmia e oficerit dhe roli i tij, teksa shpjegon se si u kontaktua për armën e vrasjes së Ramazanit nga një person i panjohur dhe pas deklaratës së tij 2 persona të pafajshëm u arrestuan nga policia.
Shtetasi Leonard Palushi i pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit ndër të tjera ka shpjeguar se: Në datën 20.07.2020, kur ka ndodhur vrasja e shtetasit Emiljano Ramazani ka qenë me pushime vjetore.
Edhe pse me pushime jam munduar të interesohem për zbulimin e vrasjes së Emiliano Ramazanit.
Disa ditë pas ngjarjes, edhe pse ishte me pushime, në Yzberisht, te dyqani “Ozone Elektronic” rreth orës 10:00 ose 11:00 të paradites më është afruar një shtetas me maskë covidi dhe kapele, rreth 170 cm dhe rreth të 50-ave. Më ka takuar dhe më ka informuar se, tek servisi i Manhasave mbahet e fshehur një armë që është përdorur te vrasja e Milit. Mu drejtua duke më thënë mua nuk më ke parë asnjëherë. Eca rreth 2-3 hapa në drejtim të këtij shtetasi, por ndërkohë në trotuar erdhi dhe një person tjetër. Ndalova pasi nuk isha i sigurt se çfarë do ndodhte. Të dy bashkë u larguan në drejtim të rrugës kryesore te Unaza e Re. Më vonë komunikova me drejtorin e Policisë Arjan Muça, i kam thënë se, më ka ardhur një person dhe më ka takuar në Tiranë dhe më ka thënë se arma e ngjarjes së Emiljanos është te Manahasat.
Dua të sqaroj se në bisedën e bërë me Drejtorin e Policisë Arjan Muça kemi pasur dyshime se ky informacion mund të jetë i sajuar, por përsëri duke gjykuar se aty mund të kishte armë do ishte ndihmë për zbulimin e autorëve të ngjarjes, pra mund të kishte gjurmë ADN-je. Ai ka deklaruar se informacionin lidhur me armën e gjetur te servisi i Manahasave, nuk e ka përpiluar si SK2, pasi ishte me pushime dhe kur ka dalë në punë ishte pa vlerë pasi ishte ezauruar si informacion. Po kështu ka deklaruar se ka pasur njohje me Erjon Alibeaj me të cilin është takuar për shkak të informacioneve që ai ka dhënë për vrasjen e vëllait të tij Endrit Alibej, madje e ka takuar edhe në banesën e Erjon Alibeaj. Gjithashtu me kërkesë të tij shtetasi Leonard Palushi ka ndryshuar lejen vjetore nga 01-15.08.2020 në datat 15-31.07.2020.
Rezulton se i hetuari Palushi në bashkëpunim me Alibej ka bërë të mundur që të orientojë hetimet në drejtim të gabuar duke synuar implikimin e personave të cilët nuk kishin asnjë lidhje me veprën penale të kryer. Edhe deklarimet e dhëna nga ana e të hetuarit Leonard Palushi janë aspak bindëse dhe në kundërshtim me tërësinë e provave të administruara deri në këtë fazë të hetimit. Deklarimet e dhëna nga shtetasi Nuredin Dumani si dhe ato të dhëna nga bashkëpunëtori tjetër i drejtësisë Euglent Halili krijojnë dyshimin se dhënia e informacionit është bërë qëllimisht që për këtë ngjarje të futeshin në konflikt familja Manahasa me grupin e Talo Çelës. Në këtë mënyrë si rezultat i këtyre veprimeve të kryera nga ana e Palushit ai ka kryer mospërmbushje të rregullt të detyrës duke qenë në kushtet e ushtrimit të një funksioni publik duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetasve, konkretisht të shtetasve Albert dhe Seit Manahasa të cilët rezulton se janë arrestuar gabimisht.