Dëmtimi i Rade Kruniçit shton nevojën e Milanit për një mesfushor. Pasi Midtjilandi rriti pretendimet për Oniedikën, kuqezinjtë kanë marrë një kthesë të fortë drejt Gjermanisë. Më saktësisht drejt Volfsburgut ku luan Aster Vranks. 20-vjeçari mund të jetë goditja e “Djallit” në mesfushë.
183 centimetra për 80 kilogramë ai përbën profilin fizik që duhet të zëvendësojë Kesin. Atë e krahasojnë me bashkëkombësin Vitsel, teksa teknika është e një niveli disi më të lartë.
Emri tjetër që po shqyrtohet në këto momente është ai i Karlos Alkaraz. Emër i njëjtë me yllin më të ri të tenisit botëror, por luan në Argjentinë te Rasingu i Avezhanedës.
Ai vlerësohet 18 milionë euro dhe mund të bllokohet që tani për t’u transferuar në Milano gjatë janarit, teksa operacioni “Vranks” ka më shumë gjasa që të mbyllet në ditët e mbetura që na ndajnë nga fundi i merkatos së kësaj vere.
Arena e Lajmit