Vrasja e Andi Zylyfit dhe plagosja e Ardit Uruçit më 13 dhjetor 2019 në fshatin Përparim të Peqinit është një tjetër ngjarje e zbardhur tashmë nga SPAK pas dëshmisë së Nuredin Dumanit.
Duket se sërish Talo Çela është strumbullari. Andi Zylyfi, djali i hallës së Endri Alibej u vra një ditë pasi ishte kthyer në Shqipëri.
Nuredin Dumani ka rrëfyer se i ka kërkuar Talos ta kryejë ai vrasjen, por se ai iu kishte dhënë kaparin tashmë dy personave të tjerë, Miri Haxhiaj dhe Altin Ndocit. “BakanWeb” zbardh një pjesë të dosjes hetimore të siguruar nga gazetarja Klodiana Lala.
NGJARJA
Lidhur me vrasjen e shtetasit Andi Zylyfi, ndodhur më datë 13.12.2019, në fshatin Përparim, Peqin.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar në datën 14.04.2022, procedimin penal nr.76, për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Zylyfi dhe plagosjen e shtetasit Ardit Uruçi dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar.
Nga hetimi ka rezultuar se më datë 13.12.2019, rreth orës 18:40, është marrë njoftim se në fshatin Përparim, qyteti Peqin, përballë lokalit të shtetasit Altin Gjuzi në aksin kryesor Peqin-Elbasan, persona te paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit Golf 6 me targa AA 557 YB ngjyrë blu e errët, brenda të cilit ndodheshin shtetasit Andi Zylyfi i biri i Hysni dhe i Shege, i datëlindjes 15.09.1993, lindur dhe banues në fshatin Përparim, qyteti Peqin si drejtues automjeti, si dhe Ardit Uruçi i biri i Hajdar dhe i Donika i datëlindjes 30.09.1996, lindur e banues në fshatin Përparim, qytetit Peqin, Elbasan si pasagjer në vendin e parë në automjet. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur i vdekur nga plagët e marra shtetasi Andi Hysni Zylyfi, i cili është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal Elbasan, por pa jetë, ndërsa shtetasi Ardit Uruçi, jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës Tiranë.
PROVAT
Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi ka filluar kryerja e veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur, këqyrje e cila u zhvillua në kushtet me ndriçim artificial, me mot të vranët dhe shi.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe fiksuar në total 13 (trembëdhjetë) copë gëzhoja arme zjarri të gjitha të Modelit 56 kalibër 7.62 mm.
Nga këqyrja e automjetit me të cilin po udhëtonin viktimat e veprës penale konstatohet se ka gjithsej 16 (gjashtëmbëdhjetë) vrima shpuese, ku 2 (dy) vrima shpuese gjenden në xhamin e përparme, 1 (një) në pasqyrën dhe 13 (trembëdhjetë) vrimat e tjera të përqendruara në derën nga ana e drejtuesit të automjetit, ndërsa në brendësi të automjetit vërejmë copëza xhami që kanë rënë dhe njolla të kuqe si ato të gjakut.
Automjeti “Golf 6” me targa AA 557 YB, figuron në emër të shtetasit Edmond Vladi, në përdorim nga viktima së bashku me dokumentacionin përkatës.
Nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan janë administruar pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e kompanisë së karburantit në pikën e shitjes në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë nga ora 12:00 të datës 13.12.2019 deri në orën 02;00, të datës 14.12.2019 si dhe të pamjeve të regjistruara në disa ambiente të tjera biznesi. Po kështu në Morgun e Spitalit Rajonal Elbasan, është bërë këqyrja e kufomës së shtetasit Andi Zylyfi, ku nga këqyrja paraprake është konstatuar nga mjeku ligjor se në trupin e këtij shtetasi konstatohen paraprakisht gjithsej 29 plagë shpuese, të cilat 16 janë në pjesën e kurrizit, 6 plagë shpuese nga përpara në pjesën e gjoksit dhe 7 plagë shpuese në anën e majtë të trupit të tij të cilat në dukje konstatohen të shkaktuara si nga armët e zjarrit.
Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se viktima, shtetasi Andi Zylyfi, ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 12.12.2019, nga PKK Rinas në mesditë. Nga deklarimet e personave si lidhje shoqërore rezulton se ditën që ka ardhur, ka shkuar në qytetin e Kavajës, ku ka takuar të fejuarën e tij. Nga deklarimet e personave që kanë dijeni të pyetur nga organi procedues, rezulton se shtetasi Andi Zylyfi, në datë 13.12.2019 rreth orës 18:00 ka shkuar në lokalin e shtetasit Altin Gjuzi, ndodhur pranë banesës së tij, ku është takuar me shtetasin Ardit Uruçi dhe bashkë kanë qëndruar në lokal bashkë me të afërm të viktimës, përreth 30 minuta. Viktima rreth orës 18:30 ka kërkuar të shkojë në banesën e tij. Shtetasi Ardit Uruçi, i ka kërkuar që ta marrë dhe atë në makinë për ta lënë diku afër banesës së tij, meqenëse viktima kishte makinë.
Pasi kanë hipur në automjetin Golf 6 me targa AA 557 YB, me drejtues shtetasin Andi Zylyfi, dhe shtetasin Ardit Uruçi pasagjer në sediljen e parë, kanë tentuar të futen në rrugën kryesore me drejtim në qytetin e Peqinit. Ardit Uruçi deklaron se pikërisht në atë moment ka parë një mjet të cilin nuk ka arritur ta fiksojë për shkak të errësirës, i cili ecte ngadalë në mes të rrugës duke ecur ngadalë dhe ka lejuar të futet ne aksin kryesor mjetin e tyre, dhe pikërisht në atë moment janë qëlluar befasisht ku fillimisht me një goditje dhe më pas me breshëri të pandërprerë. Si pasojë e të shtënave Andi Zylyfi është goditur në trup dhe në kokë, ndërsa Ardit Uruçi i cili ka ulur menjëherë kokën ka marrë goditje nga plumba në këmbët e tij. Ai thekson se nuk ka mundur të fiksoj, as tipin e mjetit, as targën as ngjyrën dhe as personat që kanë qëlluar, për shkak të tronditjes që ka pësuar.
Në gëzhojat e sekuestruara në vendngjarje është përfituar një profil gjenetik human miks, i vlefshëm për krahasime konkrete. Janë përftuar dy gjurmë papilare gishtash të vlefshme për identifikim. Ka rezultuar se trembëdhjetë gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes janë qitur nga një armë zjarri.
Lidhur me ngjarjen e datës 13.12.2019 është ushtruar kontroll në banesën e Dashnor Dumani ku jetonte edhe Nuredin Dumani. Gjithashtu në interes të këtij procedimi është lejuar përgjimi i komunikimeve të numrit të telefonit të shtetasit Dashnor Dumani.
Nga ana e organit procedues në prani të mbrojtësit janë marrë deklarimet e shtetasit
DËSHMIA, NUREDIN DUMANI
“Në vitin 2019, pasi kam dalë nga burgu më ndodhi një konflikt me Talo Çelën. Pas vrasjes së Andi Zylyfit e ndjeva veten të përdorur për arsye se benzi që u përdor në ngjarjen e vrasjes mua ma kishin falur dhe unë po e mbaja që ta shfrytëzoja për ndonjë ngjarje tjetër, grabitje ose vrasje. Këto ma kërkuan duke më thënë që i duhej shpejt pasi do kryenin vrasjen e Andi Zylyfit. Makina ishte ‘Mercedez Benz E’ ose ‘C Clas’, ngjyrë gri. Kjo makinë ka ndryshuar ngjyrë tre herë nga e bardhë, e zezë dhe gri, tek servisi Dorjan Shkozës, në zonën e Nishtullës. Unë vetë i kërkova Talo-s të merrja pjesë pasi kisha mbetur pa lekë, por ai më tha nuk të fus dot se është në pjesë Miri Haxhia dhe Altin Ndoci, ata kanë marrë kaparin.
Talo më tha që do të ta zëvendësonte makinën pasi të mbaronte ngjarja. Makinën nuk ma zëvendësoi dhe nuk më dha as lekët që më premtoi. Disa ditë më vonë 2 ose 3 ditë pas ngjarjes po debatoja me Talo Çelën se ngjarja kishte ndodhur në Peqin dhe ato kishin ardhur në Durrës për kontroll te shtëpia ime, thërritën dhe vëllain e madh po s’ka lidhje. Fajin Talo ia vinte Tos Gosës sepse ky ishte informator i lëvizjes së Andi Zylyfit. Tos Gosa është bashkëpunëtor tek të gjitha vrasjet që kanë ndodhur në Elbasan duke filluar nga Indrit Dylgjeri, 2 vëllezërit Baho dhe tek Andi Zylyfi. Tosi është diku mbi 40 vjeç, ka një lokal ose restorant në Peqin, ka pasur një golf i zi dhe një “BMV” seria 3. Tosi është kuqalosh diku tek 175cm. Këtë ua them me siguri pasi e kam takuar dhe vetë Tosin. Mbasi i është bërë atentati Andi Zylyfit kam shkuar me urdhër të Talos tek Dine Çami, i cili ka një lokal diku në qendër të Elbasanit, ka fast food. Kam shkuar tek Dine Çami kam marr një qese të zezë me lekë të ndara në 2 pjesë. Unë Dine Çamin nuk e kisha parë më parë, por kisha dëgjuar për të. Në dijeninë time, Dine Çamit lekët për vrasjen e Andi Zylyfit ia ka dhënë Kel Kamami. Dine Çami është burri i tezes së Kel Kamamit.
Dine ka pasur lidhje familjare me Kelin nëpërmjet tij ka krijuar kontakt dhe me grupin e Çopajve (vëllezërit Çopja) dhe kjo i ka mundësuar Dine të investojë shuma parash të marra prej tyre në biznese të ndryshme. Dine ka një lokal, fast food dhe një servis. Ka shumë prona që janë investime të Çopajve. Dine Çami është trup i shkurtër, i shëndoshë dhe qeros. Talo më tha do marrësh disa lekë, ato të voglat ndarjen me të vogël do ia japësh Tos Gosës. Tos Gosën e kam takuar te pishat në Peqin mesa mbaj mend ka pasur një makinë të vogël, por se mbaj mend, ndërsa Tosi ka ardh me një “Golf 5” i zi. Kemi biseduar pak dhe i kam thënë ja ku e ke porosinë tënde. Pjesën tjetër ia kam dhënë Altin Ndocit, i cili ka ardhur tek rrugica e lagjes time. Altini ka ardhur më një “C Class” 2008/2009. Mbaj mend që ka qenë aksham kur i kam dhënë lekët. Altinin e pyeta për pjesën time, ai më tha për këtë punë merret Lala (Talo Çela).
Konflikti vazhdoi më Talon edhe në telefon edhe ballë për ballë. Ai për çdo gjë me sillte Altin Ndocin për të biseduar ndërkohë kishte lidhje me Dorjan Shkozën. Një ditë kam sharë/ofenduar Altinin te lagjja. Dorjani nuk më la ta godisja Altinin. Unë isha me vëllain tim Dashnorin. Pas 2 ose 3 ditësh Altin Ndoci i ka dalë vëllait tim Dashit e ka ndaluar në rrugë, vëllai ka qenë me “BMV” seria 3, Altini i ka nxjerr pistoletën me mulli vëllait siç duket ka shkrep armën, por nuk ka realizuar qitjen. Në atë moment vëllai del dhe e rreh keq Altinin në afërsi të lagjes time. Vëllai më vuri në dijeni për ngjarjen. Unë i shkrova Talos dhe e shava goxha rëndë dhe i thash tani e tutje keni punë me mua pas kësaj ngjarje. Talo më tha që nuk e kam bërë s`kam çuar njeri dhe vëllait tënd i blej dhe makinë të re. Altin Ndoci na provokonte goxha herë bashkë me Mirin e Kolës, saqë nuk po dinim të reagonim në atë kohë. Pashë situatën që nuk ishte e mirë, Dorjan Shkoza ishte gjatë gjithë kohës pas meje në çdo lëvizje duke më vëzhguar. Më pas u ula me vëllain dhe i thashë që duhet të largohemi nga Shqipëria pasi ato duan të na vrasin, unë nuk lëvizja dot pasi isha me ekspuls”.
PROKURORIA
Prokuroria lidhur me këtë ngjarje ka arsyetuar në kërkesë: Në analizë të provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit krijohet dyshimi i arsyeshëm se shtetasit Talo Çela, Altin Ndoci, Dine Cami dhe Tos Gosa kanë konsumuar elementë të veprave penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal të parashikuara nga nenet 79/dh, 278/1, 28/4, 333/a dhe 334 të K.Penal, pa autor.