Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, u shpreh se akti i shembjes së paligjshme të “Prestige Resort” një ditë më parë, është një sulm i kryeministrit Edi Rama ndaj “Fokus Media Group”.
Në një lidhje direkte me studion e lajmeve në News24, ai tha se kur “gangsterizmi shtetëror zbret rrugës dhe vërsulet me tritol”, protestat janë zgjidhja e vetme. Ngjarja e paprecedentë e cila ndodhi dje, sipas tij është edhe një mesazh që kryeministri ka dhënë ndaj investitorëve vendas dhe të huaj, duke u lënë të qartë se ata nuk mund të investojnë paratë e tyre në Shqipëri.
“Siguria juridike në vend dje ka marrë goditjen përfundimtare. Gjykata u sfidua dhe u cilësua nul. U atakuan rëndë liria e shprehjes pasi ishte e qartë se sulmi i drejtohej në radhë të parë televizionit dhe njëkohësisht, çdo qytetar pas asaj që ka ndodhur dje e kupton se jo vetëm që është i rrezikuar por mund të jetë viktimë e një qeverie gangsterësh shtetërorë. Është një betejë e cila ka dëmtime shumë të rënda siç ndodhi dje. E drejta kërkohet në këtë rast kur gangsterizmi shtetëror zbret rrugës dhe vërsulet me tritol, përballet në shesh të hapur.
Mendoni qytetarin e thjeshtë se në cilën gjendje ndodhet, ata qytetarë që kanë humbur punën me shembjen e asaj ndërtesë. Cili është lajmi që kryeministri u ka dërguar?! Që për kapriço të kryeministrit sot ata janë në rrugë të madhe. E tërë Shqipëria nga dje është në alarm.
Protesta mënyra e vetme, pasi kur gjykata nuk lihen të shprehen, kur dokumentet e firmosura nuk kanë asnjë vlerë por prevalon vetëm çmenduria e tij, e vetmja rrugë protesta. Mesazhi që u jep investitorëve është që të shkojnë dhe të investojnë në shtete të tjera”, tha ai.