Futbollin e ka nisur në Itali, Kaçorri: Bylisin e shoh si trampolinë, do shënoj shumë

Te Bylisi janë afirmuar shumë lojtarë të rinj vitet e fundit, vendës dhe të huaj. Ballshi zgjidhet prej tyre edhe si një mundësi që ata të “shprehen” më mirë, por edhe të kenë më shumë hapësira. Luis Kaçorri me origjinë nga Mirdita, por që futbollin e ka nisur në Itali, aty ku edhe është aktivizuar në akademi dhe skuadra të para, ka realizuar golin e parë me Bylisin, pikërisht në ndeshjen e parë në Ballsh.

Luis Kacorri

Madje, nuk është hera e parë që tenton Superioren, pasi ai u bë pjesë edhe kur Partizanin e mori italiani Moxhi, por që më pas u detyrua të largohej nga të kuqtë. Ka më shumë se një muaj që është bashkuar me Bylisin dhe të dielën, sulmuesi e bëri edhe më emocionuese ndeshjen për vendësit duke vulosur fitoren e ballshiotëve ndaj krutanëve. Ai shënoi golin e parë personal dhe të dytin për Bylisin ndaj krutanëve. Pas ndeshjes ai dha edhe një intervistë enkas për “Panorama Sport”.

Kaçorri, goli i parë në ndeshjen e parë. E prisnit?

Unë kam ardhur që të luaj sa më shumë te Bylisi dhe me kontributin tim të jap më të mirën time. E nisa ndeshjen e parë si titullar dhe me gol! Ku ka më mirë për një sulmues kur debuton me gol. Për më tepër që luanim në shtëpi dhe ndaj një ekipi rival si Kastrioti. Më vjen mirë që puna e bërë gjatë kësaj kohe nuk na shkoi dëm, por u konkretizua me fitore.

Përvoja e dytë në Shqipëri. Tashmë edhe me më shumë eksperiencë në moshë. Çfarë synoni?

Kam qenë te Partizani, por pak kohë në periudhën e Moxhit, atëherë unë erdha me shumë dëshirë që të luaja në vendin tim, por gjërat nuk shkuan ashtu siç e prisja, jo për fajin tim. Tashmë jam te Bylisi dhe kam ardhur që të lë gjurmë, sepse jam edhe në kulmin e moshës dhe më i pjekur profesionalisht. Dua që ta ndihmoj sa më shumë skuadrën dhe vetë të shënoj sa më shumë. Është një skuadër që më dha mundësinë dhe i preferon shumë lojtarët me perspektivë.

Pasi shënuat shkuat të festoni në tribunë. Kujt ia dedikoni golin?

Padyshim nënës sime, e cila më mbështet shumë dhe më ndjek. Ajo ishte në tribunë dhe sheh çdo ndeshje timen duke më mbështetur. Kështu që në këtë aventurë të re unë e përshëndeta me këtë gol.

Çfarë synon Kaçorri këtë sezon me Bylisin dhe në aspektin personal?

Tashmë jam edhe pak më i pjekur në moshë. Unë dua që të shënoj sa më shumë dhe Bylisi të jetë në ato ekipe “top” të elitës sonë. Ndeshje pas ndeshjeje, duke bërë sa më mirë.

Shpresoj që të na mbështesin edhe tifozët, sepse unë e kam ndjekur vazhdimisht futbollin shqiptar dhe mbaj mend që Ballshi ka pasur tifozëri të zjarrtë. Na mbështetën shumë në pjesën e dytë, sidomos duke na karikuar. Shpresoj shumë që edhe në vijim të na mbështesin, sepse edhe ne motivohemi më shumë.

E keni menduar që të qëndroni gjatë në Shqipëri?

Pse jo, nëse gjërat shkojnë sipas parashikimeve me Bylisin, patjetër që jam gati që të qëndroj më shumë se një sezon. Po me “kismet”, unë dua që të kem formë të mirë fizike dhe skuadra të ecë sa më mirë, të tjerat ia lëmë kohës.

E.SALIU – Arena e Lajmit


Futbollin e ka nisur në Itali, Kaçorri: Bylisin e shoh si trampolinë, do shënoj shumë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook