“Gati për startin, të rikthejmë historinë e Dinamos”, Dede: Do të bëjmë që rivalët të na…

Ka edhe pak më shumë se një javë kohë nga starti, por Dinamo është gati që tani për sezonin e ri. Nevil Dede thotë me bindje se skuadra është e kompletuar dhe e përgatitur për të nisur garën, në fund të të cilit duhet medoemos të ketë në dorë një “biletë” për në Superiore.

NEVIL DEDE

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri i bluve pohon se merkatoja është 99% e mbyllur. Ai ka edhe një “bast” në këtë rrugëtim: të tregojë se historia po rikthehet.

Profesor, jemi në prag të kampionatit. Si kanë shkuar përgatitjet e skuadrës dhe a është gati Dinamo?

Përgatitjet tona verore kanë shkuar në përgjithësi mirë, me ndonjë gjë të vogël, siç është dëmtimi i Prodanit në ndeshjen e fundit miqësore me Vorën. Nuk kemi pasur probleme serioze dhe për këtë jemi të kënaqur. Edhe Bardhi është futur 100% me grupin. Mendoj se jemi plotësisht gati për nisjen e kampionatit.

E ka mbyllur Dinamo merkaton apo prisni ndonjë lojtar tjetër?

Them se merkatoja është e mbyllur 99%. Ndoshta mund të ketë ndonjë lëvizje, por mendimi im është se Dinamo aktualisht është e kompletuar, gati për të përballuar një kampionat të fortë dhe të gjatë. Ndeshjet miqësore, ku më së shumti kemi luajtur me kundërshtarë të Superiores, na kanë dhënë sinjale pozitive. Tani të shohim.

Çfarë Dinamoje do të shohim në kampionat? Një skuadër që t’i ngjajë Dinamos tradicionale, një skuadër më agresive apo një skuadër pragmatiste?

Shikoni, qëllimi ynë kryesor është që ne të kthejmë në stadium njerëzit e Dinamos, tifozët e Dinamos. Nëse e bëjmë këtë, kemi arritur diçka të rëndësishme, sepse dihet që Dinamo ka pasur atë agoninë e vet vitet e fundit dhe njerëzit janë larguar. Pastaj, interpretimi i lojës në fushë është një çështje tjetër. Sigurisht, do të përpiqemi të bëjmë më të mirën, sidomos në ndeshjet në fushën tonë. Pragmatizëm? Vetë struktura e Kategorisë e parë të imponon të jesh pragmatist.

Kur erdhët në krye të Dinamos, thatë se do të riktheni besimin te disa nga lojtarët me eksperiencë, si Lilaj, Imami, Bakaj etj. A ka ndodhur kjo gjë deri tani?

Unë di të them se këta lojtarë ndihen shumë mirë në grupin ku bëjnë pjesë aktualisht. Ata kanë punuar shumë mirë gjatë përgatitjeve, ashtu si dhe pjesa tjetër e skuadrës. Dinamo është një skuadër kompakte, një grup kompakt. Për mua futbolli është punë dhe ndjenjë, vetëm kështu mund të arrihet ajo që kërkon.

Si e shikoni kampionatin në Kategorinë e Parë, cilët do jenë rivalët tuaj kryesorë?

Kampionati mendoj se do të jetë i vështirë dhe i bukur. Rivalët tanë do të jenë skuadrat e mëdha të Kategorisë së parë, pa i përmendur me emër të gjitha. Janë disa dhe kjo e bën garën më të bukur. Ne do t’i respektojmë të gjithë dhe do të bëjmë që rivalët ta respektojnë Dinamon.

Flitet gjithë kohën për rikthimin në Superiore. A synon Dinamo edhe titullin kampion në të Parën?

Ne synojmë të jemi një skuadër sa më kompetitive, të arrijmë maksimumin e mundësive tona. Ne duhet të tregojmë me rezultatet dhe paraqitjen tonë se historia po rikthehet. Kjo është shumë e rëndësishme për Dinamon, një nga klubet më të kuotuara në vend. Është ekipi i dytë më i titulluar në Shqipëri.

Përtej diplomacisë, a po mendon Dinamo që tani edhe për Superioren?

Vetë përbërja e Dinamos tregon se klubi po mendon edhe për të ardhmen. Janë të gjithë brezat e lojtarëve në skuadër, që nga ata me më shumë eksperiencë, si Lilaj, Daja, Bakaj, Imami e kështu me radhë deri te brezi më i ri, ata që janë më të vegjël në moshë.

FATJON RUPI – Arena e Lajmit


“Gati për startin, të rikthejmë historinë e Dinamos”, Dede: Do të bëjmë që rivalët të na…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook