Teksa kryeqyteti u trondit sot nga 3 ngjarje të rënda kriminale, që për autor kishin të njëjtin person, vjen një reagim nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë.
Ky i fundit thekson se është urdhëruar nisja e verifikimit të rastit për të identifikuar, nëse ka, përgjegjësi disiplinore nga ana e magjistratëve. Kjo për faktin se Hutra është person me precedentë të shumta penale, që nga vrasja e bashkëshortes në 2007 deri te përdhunimi, e rrëmbimi.
NJOFTIMI I INSPEKTORATIT TË LARTË TË DREJTËSISË
Inspektori i lartë i Drejtësisë po ndjek me vëmendje komunikimet në media mbi ngjarjen tejet të rëndë të ndodhur sot në Tiranë, ku tre grave iu mor jeta dhe tre të tjera u plagosën, nga një individ i dënuar më parë për vrasje.
Sic ka vepruar edhe në raste të tjera të ngjashme me ndjeshmëri të lartë publike, Inspektori i Lartë i Drejtësisë bën të ditur, se ka urdhëruar nisjen e verifikimit të rastit për të identifikuar, nëse ka, përgjegjësi disiplinore nga ana e magjistratëve.
KRIMET
40-vjeçari akuzohet se pasi plagosi të dashurën Marjana Gurakuqin në zonën e Astirit ka shkuar në banesën e ish-gruas së tij, ku plagosur Elena Hysën, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).
Pas kësaj ngjarjeje, autori ka lëvizur në drejtim të rrugës “Abdyl Elmazi”, në rrugën e Arbrit, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe. Fill pas ngjarjeve, Dan Hutra u arratis, për t’u arrestuar pas 6 orësh në zonën e landfillit në Sharrë, ndërsa nuk bëri rezistencë.
Arena e Lajmit