E PLOTË/ Ceremonia për 32 vjetorin e PD, “Jetën e japim, por votën jo”, Berisha: Ne arritëm rezultate të jashtëzakonshme. Askush s’mund të trajtojë vendin tim si koloni!

58278030 5e63 4db1 9df0 6dac1545a004 1024x682

U zhvillua sot ceremonia për 32-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike. Pjesë e kësaj ceremonie ishin figura të njohura të Partisë Demokratike, mbështetës e studentë të Lëvizjes së Dhjetorit.

Gjithashtu u pranishëm në këtë ceremoni, ishte edhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta.

Ndërkohë kreu i PD mbajti një fjalim të gjatë, në këtë ceremoni, duke përmendur kontributin e PD ndër vite, duke u ndalur gjithashtu edhe tek sfidat, uljet dhe ngritjet e kësaj force politike. Nga ana e tij nuk munguan edhe kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama për të cilin tha se e ka çuar vendin drejt diktaturës dhe narkotrafikut. Berisha dha një mesazh të qartë, duke u shprehur i bindur se Partia Demokratike do t’i shkojë deri në fund misionit të saj për të vendosur zgjedhjet të lira dhe të ndershme në Shqipëri, ndërsa theksoi edhe moton: “Jetën e japim, por votën nuk e japim”.

Fjala e plotë e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha:

Anëtare, anëtarë, simpatizantë, miq, të ftuar të PD të pranishëm sot në këtë jubile të 32 vjetorit të themelimit të saj.

I nderuar z.Meta.

Të nderuar drejtues të partive aleate të pranishëm këtu midis nesh.

Më lejoni njëherë së pari të përulem me nderimin më të madh para veprës, guximit të tribunit të lirisë Azem Hajdari, dhe studentëve të cilët ne me një zë i thërrisnim: studentët liberator apo engjëjt e demokracisë të cilët me guximin e tyre epik bënë të mundur fundin e epokës së monizmit në Shqipëri, dhe fillimit e epokës së pluralizmit politik, bënë të mundur me lëvizjen e tyre, me revolucionin e tyre demokratik themelimin e forcës së parë opozitare, PD.

Nderim përjetë atyre të cilët, kanë qenë dhe do mbeten gjithë jetën heronjtë e mi më të admiruar!

Unë sot duhet të përulem me nderim të madh, dhe të falenderoj me mirënjohje të pakufijshme ata qindra e mijëra djem, vajza, burra e gra, të cilët investuan mendjen, energjitë, përkushtimin, dijet e tyre në këto dekada për transformimin e Shqipërisë, e cila me gjithë situatën realisht dramatike që ndodhet. Por krahasuar me Shqipërinë e 32 viteve më parë, ju garantoj se është 32 herë më larg, pa asnjë krahasim.

PD u themelua 32 vite më parë, para së gjithash si parti e lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Njerëzve më të shtypur të Europës dhe ndër më të shtypurit e planetit. U themelua si parti e vlerave demokratike dhe ekonomisë së tregut në vendin e hiperkolektivizmit më të plogët. U themelua si parti e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar në një shoqëri e cila jetonte në shkëputjen më të plotë dhe izolimin më të thellë nga trungu i saj i vendeve të qytetëruara europiane.

PD u themelua, si një parti e vlerave tradicionale, të kombit konservator dhe të kombit shqiptar. Ajo u formua si parti atdhetare, patriote, gardiane dhe avokate e pamposhtur e interesit kombëtar dhe çështjes kombëtare.

Në këto parime, kjo parti arriti në qeverisjen e saj rezultate në shumë aspekte të jashtëzakonshme. Arriti të dëshmohet lokomotivë e proceseve integruese europiane dhe euro atlantike. Arriti në vendin e hiperkolektivizmit total në një hark kohor 4 vjeçar, të vendosë tregun e lirë në themelet e ekonomisë, dhe 80% e prodhimit të vijë nga sektori privat.

Në vitin 2008, Shqipëria e cila nisi rrugën në 92-shin, vendi i tretë më i varfër i planetit, shqiptarët me një rrogë gjithsej 204 dollarë për frymë, në një kuantulip, të kalojë në grupin, të kalojë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme-të larta.

Arriti të shumëfishojë investimet e huaja, të transformojë infrastukturën. Arriti që ky vend me paga njësoj si Angola dhe Uganda, të dalë në krye për page mesatare me të gjitha vendet e ballkanit.

Arriti të jetë protagoniste e projekteve madhore të një rëndësie të jashtëzakonshme europiane si TAP-i, etj.

Ajo bëri gabime historike me tolerimin e skemave piramidale, dorëzoi pushtetin me votë ndaj një rebelimi. Përzuri po me votën e lirë ata që erdhën me rebelimin në pushtet, në vitin 2013 me përputhje me kodin më të thellë të demokracisë, pranoi rotacionin, dorëzoi pushtetin dhe doli në opozitë.

Në këtë kontekst, kjo histori është historia më demokratike e një force politike. Është dëshmia më e fortë e karakterit demokratik të saj.

7 vite në opozitë, ishin vite të një fatkeqësie të vërtetë. Të jesh në opozitë, nuk është kurrë turp. Përkundrazi, të jesh opozitar i vërtetë është nder dhe je pushteti moral i vendit. Je pushtet moral, sepse qendron gardian i interesave të qytetarëve, sepse nuk të josh opozita e vërtetë, asgjë tjetër përveç interesit të tyre, sepse të shfrytëzon kohën për të pregatitur një alternativë të re të cilën do të çosh drejt fitores shoqërinë, popullin opozitar që të beson.

Por, mjerisht, kjo nuk ndodhi me PD. Kjo parti për shkak të takimeve të fshehta dhe marrëveshjeve të fshehta. Për shkak të bizneseve të kreut të përziera dhe të papërziera me qeverinë, për shkaqe të tjera që s’kishin të bënin asgjë me anëtarët e PD, ajo u shndërrua në një dekor, në një fasadë të një qeverie që kalonte nga skandali në skandal. Nga vjedhja në vjedhje, nga korrupsioni në korrupsion. Nga aktet antidemokratike, në akte tjera antidemokratike.

Në zgjedhjet e 25 prillit, një besim i jashtëzakonshëm i qytetarëve shqiptarë, i popullit opozitar u tradhëtua. U shkel për interesa më të ulëta, vetëm e vetëm që PD të shndërrohej në një aleate të PS dhe Edi Ramës, në një kohë kur demokratet dhe demokratët, ndoshta qanin edhe me ngashërim për rezultatin që morën.

Në krye të opozitës bëheshin plane për ndarje postesh për bashkëqeverisje me Edi Ramën. Për t’i dhënë një colpo di gracia PD si force politike në vete, u zgjodh lobimi korruptiv i Edi Ramës me George Sorosin, dhe një akt ndër më madhorët në historinë e korrupsionit botëror. Anthony Blinken sanksionon Sali Berishën, i cili s’kishte asnjë rol përveç njërit: s’do pranonte kurrë që PD fasadë, të bëhej ledhë e PS DHE Edi Ramës.

Nqs sekretari Blinken, apo cilido qytetar dhe shtetar mbi tokë do mund të paraqesë ndonjëherë, një fakt, një provë, një dokument të vetëm për të faktuar jo ato që ka shkruajtur të diktuara nga korrupsioni i George Sorosit, por edhe më të voglin, Sali Berisha është i larguar përfundimisht nga politika.

Përndryshe, historia ime është krejt tjetër. Po ua them këtu, cilitdo

50 vite më parë, mjek i ri në diktaturë të plotë. Takoj një mik timin francez teksa studioja. E vetmja gjë që më lidhte me të ishte Kamy-ja. Ai e donte Kamy-në, edhe unë e doja shumë Kamy-në, në atë kohë se shkrimtarët janë me sezone. Z.Berisha më thotë; Kamy-ja ka thënë se: Midis nënës sime dhe të vërtetës, unë zgjedh nënën time. Zano, i them unë zgjedh të vërtetën dhe jo nënën time. Ai më pa, më pa me habi, sepse në fund të fundit ai ishte në një vend të lirë, dhe unë në një diktaturë. Dhe për definicion, e vërteta ishte shumë afër atij dhe shumë larg meje. Por unë përsëri i thashë të vërtetën atij, sepse unë ashtu isha mëkuar.

Më vonë unë isha mjek, shumë i apasionuar pas profesionit tim, por thjesht për çështje të dinjitetit, për të shflakur dublicitetin që impononte diktatura. Shkova u bashkova me studentët, kisha shkruar shkrimet e mia, por t’ju them të vërtetën, kur më ndiqnin unë qeshja, qeshja me ju studentët e mjekësisë, jo pak, pse thoja epitetin me mendjen time. S’po thoja epitetin që ju vija, nuk e dinë që unë kam marrë vendimin tim, edhe asgjë s’më bënte përshtypje.

Edhe tani imagjinoni, pas 32 vitesh, më duhet të përballem për motive me dinjitetin me diplomatin e parë të botës, të vendit më mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por përsëri midis nënës sime dhe të vërtetës, unë zgjedh të vërtetën.

Kanë rrëmuar dhe rrëmojnë, rrëmojnë çdo ditë, çdo javë, por unë nuk qesh kësaj here më rrënimin, përkundrazi, i falenderoj të rrëmojnë sa më shumë dhe në fund do të kuptojnë se kanë kryer aktin korruptiv më të madh ndër më madhorët në histori.

Sot, PD njësoj si ne që kemi lindur në diktaturë, jo të tjerët. Ne kemi dy ditëlindje. Kemi ditëlindjen biologjike, Zoti na lindi ne të lirë dhe të barabartë, diktatura na shndërroi në skllevër. Ndaj dhe falë studentëve dhe lëvizjes së tyre ne fituam një ditëlindje të re, ditëlindjen në liri.

Për çudi dhe për ironi, edhe partia jonë ka dy ditëlindje. Sot ne festojmë edhe 11 dhjetorin e vitit 2021, në të cilën dhjetëra e mijëra anëtarë të PD, firmosën rithemelimin e kësaj force, në momente kur ajo ndodhej para alternativës ‘To be, or not to be’,

Në 16 shtator, kam ardhur në këtë sallë, nisa rrugëtimin me disa qindra demokrate e demokratë, në rrugë e sipër u bëmë dhjetëra e mijëra, edhe sot jemi qindra e mijëra. Udhëtimi im, ju garantoj edhe njëherë në mënyrë absolute, nuk kishte asnjë lidhje me interesin tim personal, jo. Kishte lidhje përsëri me atë fakt të thjesht, se përsëri midis nënës dhe së vërtetës, unë do zgjidhja të vërtetën. Kishte lidhje sepse kërkesa për përjashtimin e Sali Berishës nga parlamenti nuk lidhej më me Sali Berishën.

Në të gjitha kodet kushtetuese të botës së lirë, mandati është i parlamentit dhe jo i individit, është i popullit dhe jo i individit.

Askush nuk mund të trajtonte vendin tim si koloni, për t’i diktuar kush do të jetë dhe kush s’do të jetë në parlament., aq më tepër kjo në mënyrën më paradoksale nga vendi që kishte bërë kaq shumë për lirinë e shqiptarëve, kjo nuk mund të pranohej kurrë.

Ky ishte motivi më kryesor që më shtyu mua t’ju drejtohem juve.

T’ju drejtohem shqiptarëve, duke mos ditur asgjë sesa do të më mbështesnin. 8 vite pa lidhje fizike, 8 vite pa takime politike. Megjithatë në dhjetëra herë, më vjen keq që po e perifrazoj pa e lidhur aspak me veten time, por ajo që thotë Skënderbeu: Se lirinë e gjeta mes jush, Sali Berisha, shpirtin, dashurinë, vendosmërinë për sovranitetin dhe dinjitetin e gjeta midis jush dhe u bashkuam.

Arena e Lajmit

E PLOTË/ Ceremonia për 32 vjetorin e PD, “Jetën e japim, por votën jo”, Berisha: Ne arritëm rezultate të jashtëzakonshme. Askush s’mund të trajtojë vendin tim si koloni!

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook