Çelsi bëhet gati të godasë në merkato, ndaj duket urgjente që Milani të blindojë Rafael Leaon me një rinovim të kontratës. Për ‘Tuttosport’ për momentin bisedimet për zgjatjen e marrëveshjes mes Leaos dhe klubit kuqezi po përjetojnë një situatë ngërçi absolut.
Lojtari do të donte një pagë të lartë, 7 milionë euro neto në sezon, ndërsa kuqezinjtë, deri më tani, nuk kanë shkuar përtej një propozimi prej 4.5 milionë eurosh. Distanca mes Milanit dhe Leaos është e gjerë dhe, për më tepër, në numrin 17 të kuqezinjve, rëndon edhe vendimi i Gjykatës së Milanos, që e ka dënuar me heqjen e 20% të pagës mujore deri në shlyerjen e borxhit prej 20 milionë eurosh ndaj Sportingut të Lisbonës.
Zgjidhja mund të vijë nga shitja e klubit. Sapo të përfundojë kalimi i pronësisë së Milanit nga “Elliott” te “RedBird”, dosja për rinovimin e kontratës së Leaos do të përfundojë në tryezën e Xherri Kardinales, i cili do të vendosë përfundimisht mbi qëndrimin e portugezit.
Arena e Lajmit