Moti i keq në vend, Tedi Blushi: Të mblidhen menjëherë Komisionet e Mbrojtjes, përmbytjet të shkaktuara nga korrupsioni i Ramës

Tedi Blushi

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një komunikim për mediat ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për situatën e përmbytjeve në vend

‘Me qindra hektarë tokë janë të përmbytura dhe vetëm në Lezhë mbi 410 HA tokë janë mbi ujë. Përmbytja nuk është nga shiu por nga korrupsioni i Edi Ramës. Situata pritet të përkeqësohet i kërkojmë qeverisë, Ministrive përgjegjëse të marrin masat për të garantuar mbrojtjen e jetës dhe të pronave të qytetarëve. Të mblidhen menjëherë Komisionet e Mbrojtjes”, tha Blushi.

Fjala e plotë:

Prej kohësh Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka dhënë paralajmërimin serioz për një përkeqësim potencial të situatës hidrometeorologjike në të gjithë territorin e vendit.
Është papërgjegjshmëri ekstreme dhe e dënueshme ligjërisht, që alarmi mbi rrezikun e përmbytjeve në vend, me pasoja tepër të rënda, nuk është marrë seriozisht nga institucionet shtetërore, duke vënë në rrezik jetën, shëndetin dhe pronat e mijëra qytetarëve në mbarë vendin, qartësisht të braktisur në mëshirë të fatit.
Shteti duhet të ishte ngritur në këmbë prej kohësh, por për Edi Ramën dhe bandën e “Rilindjes” prioritet janë vjedhjet me inceneratorët dhe koncensionet korruptive dhe jo pronat e shqiptarëve që sot janë nën ujë.
Sipas të dhënave nga terreni, me qindra hektarë tokë rezultojnë të përmbytura në Tiranë, Shkodër, Lezhë, Shijak, Krujë, Fier, Gjirokastër, Vlorë, ndërkohë që raportohen se vetëm në Lezhë mbi 410 hektarë tokë ndodhen sot nën ujë.
Përmbytja e Shqipërisë nuk është nga shiu por nga korrupsioni i Qeverisë së Edi Ramës, që reflektohet jo vetëm në shpërdorimin e fondeve publike të përcaktuara për emergjencat civile por edhe në cilësinë e dobët të investimeve, kryesisht në rrjetet kulluese.
Në kushtet, kur sipas të gjitha parashikimeve, situata pritet të përkeqësohet, i kërkojmë me forcë Qeverisë, ministrive përgjegjëse, prefekturave dhe bashkive, të marrin menjëherë dhe pa vonesa të justifikuara, të gjitha masat e duhura për të garantuar mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe pronave të qytetarëve.
U bëjmë thirrje prefektëve dhe kryetarëve të bashkive në zonat me rrezik të shtuar, të mbledhin menjëherë Komisionet e Mbrojtjes.
Konkretisht kërkojmë nga ministritë përgjegjëse, prefekturat dhe bashkitë në zonat me rrezikshmëri të lartë përmbytjeje, të garantojnë urgjentisht: – Informimin me transparencë dhe në kohën e duhur të popullatës, që jeton në zonat me rrezik potencial përmbytjeje, me qëllim garantimin e jetës dhe minimizimin e pasojave në prona e bagëti;
– Garantimin me rezerva të mjaftueshme ushqimore për popullatën dhe blektorinë;
– Vendosjen e hidrovoreve në regjim gatishmërie pune, me kapacitet të plotë;
– Vënien në gatishmëri të strukturave të koordinimit, menaxhimit dhe atyre operacionale, me qëllim marrjen e të gjitha masave parandaluese për minimizimin e riskut në zonat më të ekspozuara ndaj rrezikut;
– Gatishmërinë e strukturave operacionale, grupeve të kërkim-shpëtimit, mjeteve ajrore dhe mjeteve lundruese, për garantimin në çdo kohë të operacioneve efektive, në çdo zonë, që rrezikohet nga përmbytjet;
– Marrjen e masave për kalueshmërinë normale në të gjitha akset rrugore, veçanërisht në Veri, Verilindje dhe Juglindje, që rrezikohen të bllokohen nga reshjet e dëborës dhe rrëshqitjet e dheut apo gurëve.
Gjithashtu i kërkojmë Prokurorisë të jetë e vëmendshme për çdo raste të shpërdorimit të detyrës nga funksionarët publikë.
Mbrojtja e shëndetit, jetës dhe pronës së çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë është një detyrim kushtetues, që duhet përmbushur me përgjegjshmëri maksimale.

Moti i keq në vend, Tedi Blushi: Të mblidhen menjëherë Komisionet e Mbrojtjes, përmbytjet të shkaktuara nga korrupsioni i Ramës

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook