Minuta e 56 e ndeshjes mes Egnatias dhe Tiranës. Trajneri i rrogozhinasve, Edlir Tetova, vendos të largojë nga fusha Mihanën dhe Camajn, duke i bërë vend Delarxh dhe Dos Santos. Një situatë që ka çuditur shumëkënd pasi në fushë u bënë 6 lojtarë të huaj njëkohësisht në radhët e rrogozhinasve dhe rregullorja parashikon vetëm 5 të tillë.
Në fushë ishin njëkohësisht në ato momente nigerianët Atanda dhe Hamzat, brazilianët Fernando, Xhekson dhe Dos Santos, si dhe kongolezi De Larzh. Mund të dukej si një gabim i cili do të çonte në humbjen e ndeshjes në tavolinë nga Egnatia, por në fakt nuk ishte i tillë.
Sodiq Atanda, mbrojtësi 29-vjeçar nigerian i Egnatias në fakt ka edhe shtetësinë shqiptare, të cuilën e ka marrë kur ishte pjesë e Partizanit. Futbollisti u pajis në vitin 2018 me pasaportë shqiptare pasi kishte plotësuar 5 vitet e qëndrimit në Shqipëri. Një zgjidhje që Partizani bëri asokohe për të shmangur probleme që lindin shpesh me futbollistët afrikanë në aktivitet ndërkombëtare, pasi kanë vështirësi në sigurimin e vizave për të udhëtuar në vende të ndryshme.
Kështu, Atanda në takimin e sotëm cilësohej si shtetas shqiptar, ndaj nuk llogaritej si i huaj në fushën e lojës, duke mbajtur Egnatian brenda rregullave të aktivitetit futbollistik.
Arena e Lajmit