Gazetari Mentor Kikia, i ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Open” ku po diskutohet tema e largimit të mjekëve nga Shqipëria, tha largimi i këtij profesioni është ai që ndihet më shumë, por shtoi se janë edhe profesionistë të tjerë të cilët po ashtu kanë zgjedhur të kërkojnë punë jashtë.
Ai tha se ka dy kategori të shoqërisë që emigrojnë, të parët janë të rinjtë që zgjedhin të largohen me gomone drejt Anglisë kryesisht, pasi nuk gjejnë shpresë në Shqipëri, dhe kategoria tjetër janë profesionistët të cilët janë të punësuar në vend, por kërkojnë një perspektivë më të mirë.
“Çështja e diplomës së mjekëve ka evoluar nga deklarata e kryeministrit në një ngushtim të rrezes, të atyre q shkollohen me bursë. Dhe këtu ka një sens, që ke një detyrim për t’i kthyer pas ato para. Largimi i mjekësve është pjesë e një emigrimi masiv i të gjithë kategorive që po largohen nga Shqipëria. Shkojnë në Angli sepse Anglia është një treg më tërheqës.
Pjesa tjetër e emigrimit është shtresa e mesme, ata nuk shkojnë tek gomonet, por ikën me kontrata pune, për të mos u kthyer më. Këta nuk ikin për bukën e gojë, ndryshe nga ata të rinj që shkojnë tek gomonia, këta janë specialistë. Këtu futen edhe mjekët dhe këta janë ata që po krijojnë gropën e madhe në shoqëri.. janë inxhinierë të IT, mjekë dhe infermierë, agronomë, elektricistë, hidraulikë, shofer kamioni, etj..
Hemorragjia e mjekëve është shqetësuese sepse sot nëse kërkon një saldator specialist nuk e gjen, por tek e fundit e lë dhe pa bërë, por nëse shkon dhe kërkon mjek, në spitale të nivelit të dytë që s’kanë gjinekologë…Kjo situatë nuk është se u prodhua brenda natës, është rrjedhojë e një keqqeverisjeje qeveri pas qeverie. Sot një pjesë e mirë e këtyre, janë të punësuar, ikin për standard jetese. Mjekët janë zëri më ulëritës i kësaj kategorie”, tha ai.