Detyra e tij është të shmangë topin të hyjë në rrjetë. Dhe vitin e shkuar arriti ta bëjë shumë mirë, duke u shndërruar në një nga pikat më të forta të skuadrës kampione. Ekuilibri në mbrojtje ishte një pikë force e Milanit në fundin e sezonit të shkuar.
Ai është rigjetur edhe njëherë nga skuadra e Stefano Piolit në ndeshjen kundër Bolonjës mbrëmjen e së shtunës.
Majk Menja, pas 19 ndeshjeve të mbyllura pa pësuar gol sezonin e shkuar në të gjitha kompeticionet, rigjeti kundër kuqebluve ndeshjen e parë pa pësuar këtë sezon.
Sigurisht që nuk pati ndonjë punë të madhe, por këtë vit, portieri francez shpreson të bëjë edhe më mirë për të fituar kështu edhe vendin e titullarit në kombëtaren e tij.
Botërori i Katarit sheh “Gjelat” favoritë dhe ai nuk duket shumë larg staturës së kapitenit veteran Hygo Loris.
Përpara ndeshjes me Sasuolon sot në orën 18:30, ai shpreson që Milani të fitojë për të gjetur qetësinë e duhur për përballjen e së shtunës kundër Interit.
SFIDA E MUNGUAR – Gardiani 27-vjeçar ka lëshuar një intervistë për televizionin “DAZN”, e cila do të transmetohet e plotë vetëm ditën e mërkurë, ku ai komenton derbin e Madoninës.
Menja ka folur për duelin me Romelu Lukakun, por që pas konfirmimit të dëmtimit të sulmuesit belg ditën e hënë, takimi do të shtyhet sigurisht. Ashtu siç do të shtyjë edhe ai studimet e dosierëve që kishte përgatitur për bomberin zikaltër:
“Më pëlqen që të studioj sulmuesit. Duhet të shoh më shumë sulmuesit sesa portierët.
Gjatë ndeshjes, kur sulmuesi më vjen përballë, unë duhet të kuptoj se çfarë duhet të bëj: nëse ai ka ndërmend të godasë apo do të pasojë.
Lukaku? Nuk e kam studiuar ende. A do ta studioj? Ndoshta”.
E thotë duke qeshur sigurisht, por të shtunën “Big Rom” mund të dalë nga orbita e portierit më të mirë të Serisë A sezonin e shkuar.
Por kjo nuk do të thotë se Menja mund të flejë i qetë: sepse ka shumë për të studiuar për lëvizjet edhe të Lautaros, Korreas apo Xhekos, që kompletojnë kështu repartin ofensiv të rivalëve.
Në sezonin e tij të parë mes shtyllave të Milanit, njeriu që u shndërrua në një garanci për skuadrën e Piolit vlerësoi edhe tifozët kuqezinj, të cilët i quajti më të mirët në Itali:
“Kemi tifozët më të mirë në Itali. Atmosfera e krijuar në stadium është e pabesueshme”. Dhe këta tifozë do të jenë arma plus për kampionët të shtunën, në orën 18:00, në “San Siro”.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO
