Arkadiuzh Milik e bëri debutimin e tij me ngjyrat bardhezi kundër Romës, në minutat finale, por dje ishte dita e tij përpara gazetarëve, ku numri i ri 14 i Juventusit ka treguar ndjesitë e para dhe pritshmëritë nga kjo aventurë me klubin që 28- vjeçari ëndërronte.
Milik, ç’do të thotë për ju që të vini te Juventusi?
Ky është një moment special në jetën time. Ka qenë gjithnjë objektivi im që të bëhesha pjesë e një prej klubeve më të fortë në botë. Dua të shënoj shumë gola dhe të jem i lumtur.
Mund të luani me Vlahoviçin të dy njëkohësisht?
Kam zhvilluar deri tani vetëm 3 stërvitje, por e kam kuptuar se nuk është e vështirë të përshtatem me këtë skuadër kampionësh. Unë mund të luaj edhe me një “pykë” tjetër në krah, sepse këtë e kam bërë edhe me Kombëtaren polake, duke qenë së bashku në fushë me Robertin (Levandosvskin). Megjithatë, zgjedhjet i bën trajneri, unë thjesht duhet të jap më të mirën në fushë dhe dua të jem gjithnjë i gatshëm.
A keni qenë pranë Juves në të kaluarën?
Po, kam qenë pranë pak kohë më parë, por gjërat shkuan ndryshe. Shumë herë emri im është përfolur te Juventusi. Dy apo 3 vite më parë gjërat mund të konkretizoheshin, por në fund nuk u realizua. Gjithsesi, unë nuk shoh nga e shkuara dhe tani jam i lumtur që ndodhem në këtë klub. Shpresoj që të shënoj sa më shumë gola për këtë skuadër.
Çfarë efekti do të ketë tek ju përballja me Napolin?
Nuk e kam parë kalendarin dhe di vetëm që do të ndeshemi me Specian të mërkurën. Kur të luajmë atje nuk e di çfarë do të ndodhë.
Çfarë nuk shkoi te Napoli?
Kur unë doja të largohesha gjërat morën për keq dhe në fund përfundova jashtë skuadrës.
Çfarë mendim keni për Serinë A?
Niveli i kampionatit është i lartë, por tani është rritur akoma më shumë. Tani janë 4-5 skuadra në garë për titullin dhe kjo e vështirëson akoma më shumë objektivin tonë.
Çfarë Miliku do të shohim në Serinë A këtë sezon?
Jam mirë fizikisht, jam shumë mirë. Kam shënuar 30 gola në 50 ndeshje te Marseja, por tani nuk ka më rëndësi. Nëse luaj te Juvja duhet të shënoj. Tani kam dëshirë të shkruaj një kapitull të ri në karrierë, akoma më të rëndësishëm.
Vlahoviç a ngjan me Levandovskin dhe ju si preferoni të luani: i vetëm, apo me dikë tjetër në sulm?
Është e vështirë të bësh krahasime. Vlahoviç është i ri dhe shumë i fortë, ndërsa Leva është në një fazë tjetër të karrierës dhe ka shumë eksperiencë. Janë sulmues shumë të zotë, por në faza të ndryshme të karrierës së tyre. Unë jam sulmues dhe objektivi im është që të shënoj gol, pastaj zgjedhjet i bën trajneri.
Si e shihnit Juven kur luanit me Napolin?
Ato ishin gjithnjë ndeshje speciale. Nuk jam as i vetmi dhe as i fundit që i vesh të dyja fanellat… Ju kishit thënë se donit të qëndronit te Marseja, pse ndryshuat mendje? Po, e vërtetë, doja të qëndroja, por më pas erdhi kjo ofertë e parefuzueshme dhe m’u desh të merrja një vendim madhor për karrierën time.
Si i keni kaluar ditët e para në Torino?
Atmosfera është e shkëlqyer, por mbi të gjitha infrastruktura. Kështu është gjithçka perfekte dhe lojtarët thjesht duhet të mendojnë se si të luajnë sa më mirë. Më ka befasuar kjo gjë.
Përgatiti: JETON STAMOLLA – Arena e Lajmit