ZYRTARE/ Klubi i Kategorisë së Parë i papërmbajtshëm, i “rrëmben” Apolonisë sulmuesin kryesor

Tërbuni bën një goditje të madhe në sulm, duke arritur marrëveshjen me 21-vjeçarin Jeton Krasniqi.

jeton krasniqi

Prej tri sezonesh radhazi ai ka qenë pjesë e Apolonisë, duke luajtur në total 52 ndeshje mes Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë.

Krasniqi ka shënuar 15 gola me fanellën e fierakëve, ndërsa më parë ka qenë me grup-moshat e Besës.

Sulmuesi kavajas ka debutuar në Superiore si pjesë e Kamzës në vitin 2018.

Afrimi i Krasniqit blindon sulmin e Tërbunit, që më parë ka arritur të finalizojë marrëveshjen edhe me durrsakun Ermir Rezi.

Megjithatë, merkatoja e pukjanëve nuk mbyllet këtu, pasi në momentet e fundit pritet të bëjë edhe ndonjë afrim për të kompletuar skuadrën.

GJONAJ

Kryebashkiaku i Pukës, Gjon Gjonaj, i cili është njëherësh president i Tërbunit, në një bisedë për “Panorama Sport” foli me optimizëm për startin e kampionatit, teksa pukjanët presin Skënderbeun të shtunën.

“Unë kam ngarkuar administratorin Kristian Marku, drejtorin teknik Viktor Gjonaj, trajnerin Alert Alcani dhe përgatitësin atletik, Rauf Dimraj, që së bashku të ndërtojnë një ekip solid.

Me sa kam parë, ata kanë bërë blerjet e duhura në ato reparte që janë të nevojshme.

Ndoqa miqësoren me Besëlidhjen dhe pavarësisht rezultatit, besoj se ekipi do t’ia dalë të marrë më të mirën ndeshjet zyrtare.

Kemi ruajtur një pjesë të lojtarëve të sezonit të kaluar, të cilët i kanë qëndruar besnik ekipit. I përgëzoj, pasi ata mbyllën një sezon të mirë.

Tashmë kemi bërë shumë afrime cilësore, sidomos në sulm, ku nuk duhet të çalojmë si një sezon më parë.

Jam i kënaqur dhe përgëzoj drejtuesit dhe trajnerët për punën e mirë që kanë bërë gjatë fazës përgatitore.

Ky do të jetë një sezon i vështirë, pasi do të përballemi me ekipe me emër që vijnë nga elita si Dinamo, Skënderbeu, Flamurtari etj, që do të bëjnë të pamundurën të kapin Superioren”, ka thënë fillimisht Gjonaj, i cili theksoi më tej mbështetjen që do t’i bëj klubit.

“Unë si president nuk do të kursej asgjë për ekipin.

Lojtarët duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë për të marrë rezultate pozitive.

Në start presim Skënderbeun në fushën tonë.

Do t’i presim me festë, siç e ka traditë në Pukë. I bëj thirrje tifozërisë ta kthejmë në ditë feste këtë ndeshje”.

DITMIR PEMA – Arena e Lajmit


ZYRTARE/ Klubi i Kategorisë së Parë i papërmbajtshëm, i “rrëmben” Apolonisë sulmuesin kryesor

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook