Klubi i Tiranës ka bërë lëvizjen e radhës teksa ka gjetur akordin me një element shumë cilësor. “Panorama Sport” mëson se kampionët ën fuqi kanë gjetur akordin dhe kanë firmosur sot me një prej elementëve më të spikatur në edicionet e fundit, mbrojtësin Bruno Lulaj.
Futbollisti, i cili kishte luajtur në tre sezonet e fundit me Kukësin, duke u kthyer në një titullar të pazëvendësueshëm në radhët e kësaj skuadre, vendosi të mos rinovonte me verilindorët duke kërkuar një aventurë të re. 27-vjeçari mori oferta nga klube të ndryshme por duket se ka qenë oferta e Tiranës ajo që e bindi më në fund.
Kështu, futbollisti i cili ka luajtur në karrierën e tij edhe me fanellën e Skënderbeut dhe Laçit në Superiore, ka nënshkruar për bardheblutë, ku pritet të ketë një rol të rëndësishëm në prapavijë, reparti në të cilin trajneri Shehi duket se nuk ka gjetur ende zgjidhjen përfundimtare.
Trajneri e njeh mirë Lulajn pasi e ka pasur fillimisht shok skuadre në radhët e Skënderbeut, ndërsa më pas edhe e ka drejtuar si trajner në sezonin 2018-2019.
OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit