NOTAT E SUPERIORES/ Partizani, Tirana dhe Vllaznia kapin podiumin, 3 skuadra “ngelin në klasë”

NOTAT E SKUADRAVE SIPAS “PANORAMA SPORT” PËR PARAQITJET E BËRA NË JAVËN E DYTË TË SUPERIORES: 

superiore

PARTIZANI 7.5 – “Demat” e kanë nisur mbarë sezonin, madje duhet të shkojmë 15 vite prapa, për të gjetur ngjashmëri me dy fitore në start. Ajo që ngroh më shumë te Partizani është loja nën drejtimin e Kolelës, i cili së fundmi kishte mbyllur “rrjedhjet” në mbrojtje. Për të mos qenë fitoret me zemër në dorë, të kuqtë duhet të rregullojnë finalizimin e aksioneve, pasi shpërdorojnë shumë, siç ndodhi me Laçin.

TIRANA 7 – Bardheblutë morën një fitore me peshë dhe shumë të rëndësishme në Rrogozhinë, për vetë historinë që pati kjo ndeshje. Tirana arriti të mposhtë Egnatian dhe të kalojë shokun psikologjik që erdhi nga dëmtimi i rëndë i Qefalijajt. Dyshja Xhixha-Hasani vulosën fitoren dhe ky binom pritet të funksionojë shpesh në sezonin e ri.

VLLAZNIA 7 – Shkodranët arritën në javën e dytë që ta shijonin fitoren e parë në kampionat. Vllaznia u tregua fragmentare, ndonëse dominoi pjesën e parë me Kukësin. Fati thuhet se ndihmon më të mirin dhe kjo ndodhi me shkodranët, që i nderoi goli i Markut në minutën e 96-të. Pas kësaj fitoreje, Vllaznisë i duhet vazhdimësia, që nis nga Tirana.

ERZENI 5.5 – Shijakasit e konfirmuan startin e mirë të kampionatit edhe në javën e dytë, ku në transfertë barazuan me Kastriotin. Ndonëse janë një skuadër e ndërtuar nga e para dhe me vonesë, sërish Erzeni po tregon se nuk do të jetë “kafshatë” që kapërdihet lehtë në Superiore.

BYLIS 5.5 – Ballshiotët, nën drejtimin e trajnerit Bellai, i kanë bërë një nisje pozitive kampionatit. Në Durrës, Bylisi u largua me një pikë, por nëse do të ishte vlerësuar ndryshe penalltia e mohuar, rezultati mund të ishte edhe më i favorshëm për ballshiotët, që kanë ndërtuar një skuadër konkurruese dhe që mund të rezultojë surprizë në Superiore.

TEUTA 5 – Durrsakët morën pikën e parë në kampionat, ku barazuan në shtëpi ndaj Bylisit. Starti nuk është i mirë për Teutën, e cila shpreson të ndryshojë trajektoren në vazhdim me afrimet kryera.

KASTRIOTI 5 – Krutanët arritën që ta kalojnë disi momentin e keq që patën në start, ku ndaj Erzenit morën pikën e parë në kampionat. Duke ditur se afrimet sapo janë hedhur në fushë, nga Kastrioti pritet më shumë, edhe për faktin se trajneri Çela pohoi se ekipi e ngroh.

KUKËSI 4 – Skuadra e trajnerit Skënder Gega u paraqit dobët në pjesën e parë, por me zëvendësimet e bëra, loja ndryshoi dhe me pak fat, mund të kishin marrë edhe një pikë, ose fitoren në rast se Peposhi do të finalizonte në minutën e 90-të. Kukësit i duhet ende kohë e punë për t’u konfirmuar si pretendent, pasi vakumi mes reparteve “kërcet” shpesh.

EGNATIA 4 – Peng i kalendarit të “ferrit” dhe shpërdorimit të rasteve bën që Egnatia të ketë zero pikë në dy javët e para. Rrogozhinasit prodhojnë lojë dhe krijojnë raste, por mungon harmonizimi si grup, gjë e cila u pa edhe ndaj Tiranës, ku u dënua nga episodet.

LAÇI 4 – Kurbinasit nuk treguan asgjë ndaj Partizanit dhe, madje, me paraqitjen e fundit, u kthen hijet e zeza të Laçit të fillimsezonit të shkuar, ku me trajnerin malazez nuk morën asnjë fitore në pesë javët e para. Ndeshja e fundit tregoi më së miri se afrimet nuk janë harmonizuar me ekipin dhe shqetësues ishte kondicioni fizik i ekipit.

Arena e Lajmit


NOTAT E SUPERIORES/ Partizani, Tirana dhe Vllaznia kapin podiumin, 3 skuadra “ngelin në klasë”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook