Adnan Januzaj ka zgjidhur dilemat rreth të ardhmes së tij pasi pak orë para mbylljes së merkatos së verës, ka vënë firmën në kontratën që e lidh me klubin e Seviljes në Spanjë. Futbollisti shqiptar i cili luan për Belgjikën, vendosi kësisoj të vazhdonte karrierën në Spanjë duke refuzuar oferta të tjera të rëndësishme.
Januzaj doli lojtar i lirë pasi mbaroi kontratën me Real Sociedad dhe kishte para tij disa oferta të rëndësishme. Ai mori mes të tjerave edhe oferta nga Seria A me Milanin dhe Napolin që shfaqën interes për firmën e tij. Gjithashtu, kishte oferta shumë të rëndësishme ekonomike nga Katari dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme.
Por në fund ai ka pranuar ofertën e Seviljes, një skuadër e cila lufton për pozicionet e rëndësishme në kampionat si dhe merr pjesë në Ligën e Kampioneve. Januzaj ka firmosur deri në qershorin e vitit 2026 me skuadrën që drejtohet nga Julen Loptegui dhe ku pritet të ketë një rol të rëndësishëm në skemat ofensive. Sidomos në arenën ndërkombëtare ku Sevilja përballet në një grup me Mançester Sitin, Kopenhagën dhe ish-skuadrën e tij ku pat një eksperiencë të dështuar, Borusia Dortmund.
Arena e Lajmit